Partia Demokratike vijon të denoncojë ish-ministrin e Rendit, Saimir Tahiri, si për të mos e lënë që çështja e tij, karta më e fortë në dorën e opozitës, të lihet mënjanë.
Nga selia blu, sërish u tha se 800 mijë eurot e biznesmenit Sota janë të Tahirit, ndërkohë që dhe vajtja e tij në Gjermani së fundi, nuk ishte tërësisht për “çështje familjare.
“Partia Demokratike disponon dokumentat e gjykatës të qershorit 2017 se administratori i Kurum-it, Jusuf Kurum, e kishte të ndaluar çdo transaksion cash apo nëpërmjet bankës për shkak të proçedurave të falimentit të kompanisë. Sipas dokumentit të depozituar më 3 Gusht 2017 në Qendrën Kombëtare të Biznesit, çdo transaksion mbi 20 milionë lekë i administratorit Jusuf Kurum do të ishte i pavlefshëm. Kjo do të thotë se Orest Sota e kishte të pamundur të bënte biznes me Kurum, me shifrën e 863 mijë eurove, pak më shumë se 1 milionë dollarë. Partia Demokratike nuk ka patur dyshim, që prej fillimit, se paratë i përkasin Saimir Tahirit, i cili po vazhdon përpjekjet për të fshehur provat që e akuzojnë për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Ne dyshojmë se këtë qëllim ka patur edhe udhëtimi i tij i mistershëm në Gjermani. Faktet e publikuara në media, provojnë se versioni i hedhur prej Tahirit, se po i qëndronte afër të atit për arsye shëndetësore, nuk qëndron. Babai i Saimir Tahirit, ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria, përpara largimit të Saimir Tahirit në Gjermani”, deklaroi Enkelejd Alibeaj, njeriu që drejton departamentin e Rendit dhe Sigurisë në PD. /tesheshi.com/