Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, pas marrëveshjes së PAN-it me AKR-në, beson se shumë shpejt vendi do shkojë përsëri në zgjedhjet parlamentare.
Sipas saj, koalicioni i ndërtuar së fundmi tregon se partitë politike nuk kanë hallin e zgjidhjes së ndonjë problemi, por të interesave personale.
“Me arritjen e marrëveshjes mes PAN dhe AKR, përforcohet mendimi se nuk ka koalicion për vendin, apo për marrjen e vendimeve të rëndësishme, por janë bashkuar politikanë dhe grupe të tyre për interesa të tyre. Kjo nuk ka të bëjë fare me zgjidhjet e problemeve, për të cilat kanë nevojë qytetarët dhe vendi.
Me këtë koalicion mund të bëhet vetëm një hap përpara, por asnjë më shumë, dhe kjo nënkupton se do të kemi shumë shpejt zgjedhje të përgjithshme, të cilat prapë nuk do të sjellin ndonjë zgjidhje”, ka thënë Gaxherri për Indeksonline.
Në lidhje me mundësinë për bashkëpunim me VV-në, Gaxherri shprehet se të dy subjektet kanë pasur mundësi të bëjnë më shumë, megjithëse kanë barriera të caktuara që nuk po i lënë të bashkëpunojnë. /tesheshi.com/