Pas Adriatik Llallës edhe gjyqtarët kanë kundërshtuar vendimin e Ambasadës Amerikane për t’u hequr vizat disa kolegëve të tyre.
Megjithëse me një gjuhë jo shumë të fortë, gjithsesi Shoqata e Gjyqtarëve akuzon politikën dhe diplomatët se po u bëjnë presion përfaqsuesve të sistemit.
“Nuk mund të vazhdohet të mbahen mbi supe sulmet e padrejta dhe akuzat e fryra që aktorë publike dhe segmente të caktuara janë duke bërë ndaj organeve të drejtësisë, duke na konsideruar si zyrtarë që nuk e duam reformën”, thekson deklarata e komunitetit të gjyqtarëve.
Duke u radhitur si dashamirës të reformës, shoqata kombëtare kujton se njerëzit e drejtësisë kanë dhënë kontribut në përgatitjen e kuadrit ligjor. Por duke u shprehur të keqardhur, gjyqtarët konstatojnë se kur reforma është afër, presioni ndaj funksionarëve të sistemit të drejtësisë po rritet gjithmonë e më tepër.
“Kemi theksuar që në fillim të kësaj reforme se, organet e drejtësisë në vend, padrejtësish janë etiketuar si “pjesa e sëmurë” e organizmit shtetëror dhe e keqja që duhet luftuar. Kjo frymë anti-institucionale ka ardhur në rritje, deri në pikën sa tashmë reforma po konceptohet si një reformë kundër sistemit të drejtësisë dhe jo reformë për sistemin e drejtësisë”, thuhet më tej në një deklaratë të tyre. /tesheshi.com/