Vetëm orë pasi ishte njoftuar vota Brexit në referendumin britanik, reklamat online që ftonin “Mirëserdhët në Rajonin e Parisit” e që i drejtoheshin bankave dhe investitorëve ndërkombëtarë, u botuan në faqet e Financial Times dhe Wall Street Journal.
Fushatuesit e Brexit mund të mos kenë pasur një plan B, por zyrtarët në distriktet financiare dhe më gjerë në rajonin e Parisit, pavarësisht se ishin pro qëndrimit të Britanisë në BE, ishin përgatitur prej muajsh për të promovuar sektorin e tyre financiar dhe për të apeluar bankierët të merrnin në konsideratë largimin nga qyteti i Londrës dhe të mendonin për t’u transferuar në Francë. Më shumë se 4 mijë letra u dërguan menjëherë drejt investitorëve ku proovoheshin përfitimet e rajonit më të gjerë Paris Île-de-France, që drejtohet nga djathtistja Valérie Pécresse, që më herët kishte qenë ministre e buxhetit për Nicolas Sarkozy.
Kur presidenti, François Hollande, mori linjën e ashpër të menjëhershme ndaj Brexit, duke thënë se qyteti i Londrës nuk mund të vazhdonte edhe më tej biznesin e shumëvlerësuar të pastrimit të derivateve të euros, u duk sikur Franca do të nxirrte argumentin moral për kufizimin e shërbimeve të mëdha financiare të Britanisë së Madhe në epokën Brexit dhe të përpiqej të zhvaste përfitimet drejt Parisit.
Por, çështja nëse Parisi mund të konkurrojë për të fituar nga çdo kufizim i mundshëm i qytetit të Londrës, mbetet një pikëpyetje gjigande në faqe plot me pasiguri. Ashtu si çdo gjë tjetër rreth Brexit, është shumë më e komplikuar sesa duket.
Konkurrenca për çdo shërbim financiar që mund të largohet nga Londra – ende nuk është e qartë se cilat mund të jenë këto shërbime – është e egër, me një sërë qytetesh që kanë zënë radhën. Mes tyre janë Frankfurti, që është strehë për Bankën Qendrore Europiane dhe kryeqyteti financiar i ekonomisë më të madhe të Europës, si dhe Dublini me nivelin tërheqës të taksimit korporativ, sikundër edhe Amsterdami dhe Luksemburgu. Parisi është shumë larg nga të qënit i sigurtë.
Kryeqyteti francez ka disa pika tërheqëse. Mes tyre janë sektori gjigand i menaxhimit të aseteve, disa banka të mëdha kryesore europiane, profesonistë të zotë të sektorit financiar, hapësira të lira për zyra, një mënyrë jetese tërheqëse dhe një rajon më të gjerë se qendra e qytetit që ka vullnetin të bëjë sakrificë për të joshur bankierët dhe familjet e tyre – që tani ka nisur të flitet për ndërtimin e shkollave më ndërkombëtare dygjuhëshe në perëndim të Parisit, që të jenë të gatshme për to.
Por, Parisi ka gjithashtu pengesa, jo të fundit renditen ato të klasës politike filozofike dhe sjelljes morale ndaj financave të larta në vetvete. Edhe pse Hollande ka bërë një kthesë gjatë dy vjetëve të fundit për një qëndrim më pro-biznesit, ai asnjëherë nuk ka hedhur poshtë premtimet e fushatës presidenciale se “kundërshtari” i tij më I madh ishte bota e financës.
Shumë përpara se Hollande të ishte president, ai ishte i njohur për shprehjen se nuk i pëlqente të pasurit dhe se do të bënte më të mirën e vet për të zbatuar taksën e famshme 75 për qind mbi fitimet që kalojnë 1 milionë euro, pavarësisht se më pas e pati shumë të vështirë ta paraqiste dhe e më pas e futi pa zhurmë në sirtar propozimin. Madje edhe djathtisti Nicolas Sarkozy përpara tij, e ka krizën e 2008-ës si “fundin e kapitalizmit financiar” që kishte kontrobuar në “perversifikimin” e ekonomisë.
Një çështje kyçe në Paris është rregullimi dhe kombinimi i taksave të larta me tarifat për punësimin e stafit. U kushton kompanive shumë më tepër në taksa dhe pagesa për të punësuar një punonjës të kualifikuar në Francë më shumë sesa në çdo vend tjetër të Europës. Kjo do të thotë se kandidatura e Parisit për të ftuar bizneset financiare është shndërruar në disa qarqe në një apel për ndryshim.
“Duhet t’i japim fund diskutimeve kundër sektorit financiar e të ndalojmë mbytjen e sektorit me taksa”, shkroi Guillaume Maujean në gazetën ekonomike të Parisit, “Les Echos”, këtë javë. Pas rezultatit të referendumit britanik, Hollande i tha të njëjtës gazetë: “Ne duhet të përshtasim rregullat tonë, përfshirë taksat tona, për ta bërë qendrën financiare të Parisit më tërheqëse”.
Nëse kjo mund të arrihet në klimën aktuale – ku ndryshimet e propozuara nga qeveria për ligjet e punës janë sfiduar ligjërisht nga unionet e vijës së ashpër, prej muajsh tashmë – mbetet për t’u parë.
Qartësisht, Parisi dëshiron të ketë fjalën e fundit në debatin humoristic që nisi në vitin 2012 kur David Cameron tha se Londra do të shtrojë tapetin për bizneset franceze që ikin nga Parisi e taksa e premtuar prej 75 për qind për rrjepjen e të pasurve. Ministri i Ekonomisë, Emmanuel Macron, tha gjatë fushatës së referendumit se Franca do të “shtrojë tapetin e kuq” për bankierët e qytetit të Londrës që mund të kishin dëshirë apo nevojë të vinin nëse Britania largohej nga BE.
Charles Wyplosz, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për studime monetare e bankim, tha se çdo spekulim se cilat operacione financiare do të zhvendoseshin në kohën post-Brexit ishte “pak e zmadhuar për shkak se ne nuk kemi asnjë ide se cila do të jetë marrëveshja”. Por ai tha ka një ndjesi të madhe politike “kundër financave e kundër të pasurve” në Francë që nuk e ndihmon vendin në këtë drejtim.
Ai tha se të dy, si Parisi, si Frankfurti mund ta kenë vështirë për të gjetur mjetet e duhura që të tërheqin financën e lartë, pasi ato janë vende “që nuk kanë simpati apo ekspertizë për financën e lartë”, vende që mbeten “ekstremisht provincial nga pikëpamja financiare”. “Nuk arrij ta kuptoj sesi ato mund të ndryshojnë veten duke parë situatën politike e filozofike në to”.
Ka pak detaje se çfarë do të ndryshojë saktësisht për qytetin e Londrës pas negociatave të Brexit e që do të qëndrojë në fuqi për vite. HSBC tha në fillim të vitit se mund të zhvendosë 20 për qind të forcës së punës nga Londra, rreth 1 mijë vende pune- drejt Parisit në rast të skenarit Brexit, duke thënë se do të nisë nga dhoma e tregtisë dhe bankimi i investimeve.
Gérard Mastrallet, kreu i Paris Europlace, që promovon sektorin financiar të qytetit, tha këtë javë se: “Nëse nuk përfitojmë nga kjo mundësi, këtë do ta bëjnë vende të tjera europiane”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/