Anija luftarake turke pa pilot Sancar u prezantua për publikun në Panairin Afrikan të Aviacionit dhe Mbrojtjes AAD 2022, i cili mbahet në Pretoria, kryeqyteti i Republikës së Afrikës së Jugut, dhe së shpejti mund të jetë në përdorim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sancar është prodhuar në bashkëpunim mes kompanive turke në sektorin e industrisë së mbrojtjes, HAVELSAN dhe Yonca-Onuk.
Në panairin në JAR marrin pjesë edhe shumë kompani të tjera turke, përfaqësues të sektorit të industrisë së mbrojtjes turke, përfshirë edhe HAVELSAN.
Drejtori i Përgjithshëm i HAVELSAN, Mehmet Akif Nacar tha se më shumë se 20 kompani turke po marrin pjesë në panair dhe se kompania e tyre po merr pjesë në panair për herë të parë në këtë rajon.
Ai theksoi se HAVELSAN ka punuar në zhvillimin e biznesit në Afrikë që nga viti 2020.
“Ne shohim se mund të bëjmë biznes në këtë rajon, si në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e mbrojtjes, ashtu edhe me modele të ndryshme financimi”, tha ai.
Ai komentoi afatin e mundshëm për hyrjen e sistemeve autonome në inventar.
“Kemi kaluar një kohë të gjatë duke kryer teste në terren. Tani janë marrë disa vendime. Shumë shpejt deri në fund të vitit do të mund të shohim produktet e para në terren”, tha Nacar. /tesheshi.com/