Partizani po shkon drejt një binjakëzimi me klubin e Serie A, Udinese. Lajmi bëhet i ditur nga vetë klubi i kuq që paralajmëron një marrëveshje bashkëpunimi mes dy klubeve.
Në komunikatën e të kuqve bëhet e ditur se Udinese ka shprehur gatishmërinë për të nisur një bashkëpunim të frytshëm me 15 herë kampionët e Shqipërisë. Kontaktet e para janë realizuar gjatë vizitës së pak ditëve më parë në Itali të presidentit të Partizanit, Gazment Demi, i cili ka zhvilluar disa takime me drejtuesit më të lartë të klubit të Serie A, si drejtori i përgjithshëm Franco Collavino dhe drejtori sportiv, Cristiano Giaretta.
Binjakëzimi Partizani – Udineze mund të konsiderohet një prej arritjeve më të suksesshme në futbollin shqiptar, kjo pasi për të parën herë një skuadër elitare e kampionatit tonë është pranë binjakëzimit me një klub të Serisë A. Klubi i Udinezes njihet për akademinë profesionale falë së cilës janë evidentuar shumë talente, dhe si pjesë e këtij klubi të njohur kanë arritur majat më të larta të futbollit europian dhe atij botëror. /tesheshi.com/