Vetëm sepse Shtetet e Bashkuara janë Demokraci, nuk do të thotë se do të jetë kështu gjithmonë. Kjo frikë mund të godasë opinionin si ndjesi alarmante pas zgjedhjes së presidentit Donald Trump, ashtu sikundër edhe mund të ndodhë që presidenti i zgjedhur të zotohet në qëllimin e tij për të mbrojtur Kushtetutën dhe për të qëndruar brenda linjës. Por duke parë sjelljen e mëparshme, qëndrimet e shprehura dhe këshilltarët bomba-hedhës që ka marrë pas vetes, ka arsye të vlefshme për të menduar se rendi kushtetues që ka mbizotëruar në Shtetet e Bashkuara për më shumë se dy shekuj mund të jetë në rrezik.
Realiteti kushtetues nuk ka përmbushur asnjëherë pritshmëritë e Etërve Themelues, shpresat dhe idealet e tyre, mirëpo sistemi ka një cilësi vetë-korrigjuese që i ka shërbyer mirë vendit. Po aq e rëndësishme, Kushtetuta ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara të shmangin teprimet vetë-shkatërruese dhe padrejtësitë ekstreme që janë të zakonshme në vendet autoritariste.
Megjithatë, demokracia është rrëzuar në shumë vende të tjera, dhe nuk ka asnjë arsye të mendohet se Shtetet e Bashkuara janë krejtësisht imune nga ky rrezik.
Lajmi i mirë është se Shtetet e Bashkuara nuk vuajnë nga disa tipare që i bëjnë rrëzimet demokratike më të afërta: nuk është vend i varfër, institucionet e saj politike kanë qenë funksionale për një kohë të gjatë dhe nuk është në mes të ndonjë krize ekonomike. Lajmi i keq është se Shtetet e Bashkuara kanë sistem presidencial, që duket më i prirur ndaj problemit sesa rendi parlamentar, dhe gjithashtu është një vend ku autoriteti ekzekutiv është rritur vazhdimisht me kalimin e kohës. Dhe amerikanët, si shprehen ekspertët, nuk kanë pasur kurrë një president që mund t’i afrohet Donald Trumpit.
Kështu, ekspertët japin 10 shenjat kryesore që një demokraci është në rrezik, dhe që nuk aplikohen vetëm për Shtetet e Bashkuara:
Përpjekje sistematike për të intimiduar median
Ashtu si George Orwell e vuri në dukje aq fuqishëm në “1984”, autokratët mbijetojnë duke kontrolluar informacionin. Një shtyp i lirë, energjik, vigjilente dhe kundërshtues prej kohësh është kuptuar të jetë një garanci thelbësore për liritë demokratike, pasi pa të, njerëzit në emër të të cilëve liderët drejtojnë vendin, nuk do të kenë të dhënat e nevojshme për të ditur se çfarë bëjnë politikanët.
Trump shkoi drejt presidenccës me një listë të gjatë gënjeshtrash dhe zmadhimesh, kështu që nuk ka asnjë arsye përse ai duhet të “zbulojë” angazhimin ndaj së vërtetës kur të bëhet president.
Ndërtimi i një rrjeti mediatik zyrtar pro-Trump
Shenja e dytë alarmante do të ishte një plotësim i së parës: ndërsa përpiqet të shtypë median kritike, Trump mund të përdorë gjithashtu presidencën për të mbështetur median që i ka mbajtur anën vazhdimisht. Ose ai mund të përpiqet të krijojë një agjenci zyrtare qeveritare mediatike që do të lulëzonte mbi një dietë të mirë pro-Trump. Ashtu si Ian Bremmer tha në një takim në shkollën Kenedi në Harvard, nëse Putin mund të ketë një mjet mediatik si RT, përse nuk do ta donte edhe Trump një të ngjashme? Në botën ideale të Trumpit, amerikanët do t’i mësonin lajmet nga një kombinim i Breitbart, Fox News dhe murit të Tëitter-it të vetë presidentit.
Politizimi i shërbimit civil, ushtrisë e agjencive kombëtare
Një nga pengesat ndaj rënies së Demokracisë është burokracia qeveritare, anëtarët e përhershëm të së cilës janë të mbrojtur nga presioni politik, për shkak se shërbimi civil i mbron nga shkarkimi nga detyra pa arsye. Por mund të imagjinohet administrate Trump që kërkon nga Kongresi të dobësojë këtë mbrojtje, duke e portretizuar lëvizjen si një goditje ndaj “qeverisë së madhe” dhe si një mënyrë për të përmirësuar efikasitetin e qeverisë.
Dhe nuk duhet menduar se ushtria, FBI apo Garda Kombëtare apo agjencitë e shërbimeve sekrete do të bënin përjashtim.
Përdorimi i mbikqyrjes qeveritare kundër kundërshtarëve politikë
Një hap i tillë do të ishte tërësisht i ri, edhe pse Niksoni dikur përdori CIA-n për të infiltruar organizatat kundër luftës gjatë periudhës së Vietnamit. Por kapaciteti qeveritar për të monitoruar telefonat, email-et, kompjuterat dhe aktivitetet online të të gjithë amerikanëve është zgjeruar shumë që prej viteve 1960. Dhe si
Edward Snowden mundësoi pak vjet më parë, këto aktivitet ende kanë mungesa dhe ndonjëherë thyejnë edhe ligjin.
Për aq sa dihet, askush nuk është përpjekur më parë të përdorë këto fuqi të reja të mbikqyrjes për të monitoruar, intimiduar apo vendosur në siklet e denigruar kundërshtarët politikë.
Përdorimi i pushtetit shtetëror për të shpërblyer korporatat dhe ndëshkuar kundërshtarët
Shenjë dalluese e demokracive pothuajse të korruptuara është vullneti i ekzekutivit për të pëdorur pushtetin shtetëror për të shpërblyer liderët e biznesit që janë besnikë dhe për të ndëshkuar të gjitha ata që pengojnë. Kjo është mënyra me të cilën Putin kontrollon “oligarkët” në Rusi. Ka argument se kështu operoi edhe Berluskoni në Itali që solli degjenerim të ekonomisë italiane dhe e bëri korrupsionin akoma edhe më të përhapur.
Uzurpimi i Gjykatës së Lartë
Trump me gjasa do të shfrytëzojë mundësinë për të caktuar disa gjykatës së Gjykatës së lartë dhe zgjedhjet që do të bëjë do të tregojnë shumë. A do të zgjedhë njerëz që janë besnik personalisht ndaj tij apo do të zgjedhë njerëz që kanë pikëpamje të konsoliduar për zgjerimin e pushtetit ekzekutiv dhe ka më shumë gjasa që të vështrojnë në anën tjetër nëse presidenti ndërmerr disa nga hapat e përmendur më lart. Dhe nëse ndodh kjo e fundit, a do të ketë senati kurajon të thotë jo?
Përforcimi i ligjit vetëm për njërën palë
Demokracitë efikase liberale varen në sundimin e ligjit që zbatohet në një mënyrë neutrale politike. Ky është një ideal që asnjë shoqëri nuk e ka arritur krejtësisht, dhe ka shumë mënyra sesi edhe sistemi juridik amerikan të mos e arrijë. Por duke pasur parasysh natyrën e Trumpit në fushatë dhe ndasitë e thella brenda Shteteve të Bashkuara në të tashmen, një test lakmusi për presidentin do të ishte nëse ai do të drejtojë zyrtarët amerikanë të përforcojnë standarte të ngjashme sjelljeje mbi mbështetësit dhe kundërshtarët e vet. Nëse protestuesit kundër Trump rrihen nga një bandë e mbështetësve të Trump, a do të penalizoheshin këta të fundit njësoj sikur rolet të ishin të kundërta?
Manipulimi vërtet i sistemit
Në kohën kur u duk se do të humbte, Trump nisi të deklarojë për audiencën se sistemi ishte “manipuluar’ dhe kërëcënoi të mos njohë rezultatin nëse humbte. Nëse ka diçka, sigurisht, sistemi duket se u manipulua në favor të tij, edhe pse ai humbi votën popullore dhe përfitoi nga një numër përpjekjesh për të kufizuar votën në shtetet ku demokratja Clinton duket më mirë.
Sidoqë të jetë kjo çështje, duke parë premtimet që ai ka bërë dhe demografinë e elektoratit, Trump dhe republikanët kanë të gjitha arsyet për t’i përdorur katër vjetët e ardhshëm duke u përpjekur të rëndojnë ballancën elektorale në favor të tyre.
Përhapja e frikës
Nxitja e frikës së publikut për sigurinë dhe mirëqënien është një taktikë klasike autokratike, e dizenjuar për të bindur popullata të druajtura që të shikojnë nga Lideri për mbrojtje. Trump e luajti këtë kartë në mënyrë të shkëlqyer gjatë fushatës, duke paralajmëruar për “meksikanë përdhunues”, për “qeveri të huaja që vjedhin vendet tona të punës”, për “dhjetëra emigrant brenda kufijve tanë të akuzuar për terrorizëm”, dhe kështu me radhë. Ai gjithashtu la të kuptohej se rivalët e tij politikë ishin në një farë mënyre në pajtim me këta “armiq” të ndryshëm. Një popullsi e frikësuar priret të mendojë së pari për sigurinë e vet dhe të harrojë të drejtat themelore dhe do të jetë më e prirur të mos vërejë nëse presidenti merr fuqi më të mëdha.
Demonizimi i opozitës
Përpjekja për të bindur njerëzit se kundërshtarët e brendshëm janë në një linjë me armiqtë e kombit është një nga taktikat më të vjetra në politikë, dhe ka qenë pjesë e lojës së Trump që kur ai nisi fushatën kontroverse ndaj vendit të lindjes së Obamës. Pasi u bë president, a do të vendosë në dyshim ai patriotizmin e kundërshtarëve të vet, t’i akuzojë ata se mbështesin kundërshtarët e Amerikës dhe t’ua lërë fajin e dështimeve teorive konspirative midis demokratëve, liberalëve, muslimanëve, ISIS, elitave financiare të Nju Jorkut apo grupimeve të tjera kaq të targetuara nga rrjete mediatike si Breibart? A do të ndjekë ai sugjerimet e disa mbështetësve të vet dhe të kërkojë që disa pjesë të botës si muslimanët p.sh të “regjistrohen” nga qeveria federale?
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/