Nga Gjergji Koja
Në datën 17 gusht, ministrat teknikë dhe zv.kryeministrja përmes shërbimit postar nisën drejt godinës së Këshillit të Ministrave dorëheqjet e tyre, duke i bashkangjitur edhe raportin teknik mbi zgjedhjet e 25 qershorit, të hartuar prej tyre.
Data e dorëheqjes përkonte me atë të marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha, ndërsa ndryshon vetëm muaji. Debati u përqëndrua tek raporti mbi zgjedhjet, ku opozita përmes kreut të saj, Basha tha se proçesi ishte manipuluar, ndërsa kreu i qeverisë e konsideroi një dokument të njëanshëm dhe joprofesional.
Gjithashtu u tha se kompetencat e ministrave teknikë iu kaluan zv.ministrave, përfaqësues të PS-së, proçes që nisi që pas 25 qershorit, kur disa nga përfaqësuesit e PD-së në ekzekutiv përmes urdhërave mandatuan zëvendësit e tyre për kryerjen e disa prej detyrave.
Kushtetuta në anën tjetër përcakton se ministrat duhet të qëndrojnë në detyrë deri në momentin e krijimit të qeverisë së re, çka e bënte situatën edhe më komplekse, për faktin se duket sikur teknikët do të vijojnë të qëndrojnë në detyrat e tyre kundër vullnetit që paraqitën me dorëheqje.
Pak ditë pasi dorëzuan aktet e dorëheqjeve, ata konfirmuan qëndrimin në postet ministrore deri në krijimin e qeverisë, por pyetja që shtrohet është pse ata dhanë dorëheqjen?
Ndoshta presioni në rritje ndaj kreut demokrat nga kundërshtarët e tij brenda PD-së, të njohur apo etiketuar si grupimi anti-Basha, që e akuzojnë për bashkëqeverisje me Edi Ramën, ishte një nga arsyet që ministrat teknikë ndërmorrën aktin e dorëheqjeve, e që qëndrimi i tyre në detyrë është thjesht e vetëm formal, përsa kohë ato vijojnë të jenë pjesë e qeverisë.
E nëse për dorëheqjet u tha se ishte një urdhër i PD-së, ajo që nuk dihet është se kush dha urdhërin e ndryshimit të qëndrimit, pra vijimin e tyre në detyrë deri në shtator?
Nëse ministrat do e kishin seriozisht aktin e dorëheqjes, pra pa thënë më pas se do të qëndrojnë në detyra, atëherë nuk ka ligj që mund të detyrojë cilindo që të qëndrojë jashtë vullteit të tij në një detyrë, qoftë kjo edhe qeveritare.
Ndoshta ky akt u përdor thjesht për debatin e brendshëm në PD, për të ndalur ndoshta akuzat e njërës palë kundër Lulzim Bashës në lidhje me bashkëqeverisjen me Edi Ramën.
Por në anën tjetër duket se është një tallje me institucionet, kur të hënën njoftohen dorëheqje, madje mandatohen edhe ata që do të kryejnë detyrat përkohësisht, ndërsa të martën thuhet se ministrat do të jenë në detyra se kështu e parashikon Kushtetuta.
Të thuash se teknikët e mësuan detyrimin kushtetues pasi dhanë dorëheqjen ka zero besueshmëri, sikundër të mendosh se ato qëndrojnë në detyrë për të mos bllokuar funksionimin e saj, është krejt e pabesueshme.
Qeveria ka muaj që nuk mblidhet dhe vendimet që merren janë qarkulluese, çka do të thotë se si me prezencën ashtu edhe me mosprezencën e tenikëve, nëse deri në shtator do të merret ndonjë vendim, do të ndiqet e njëjta formë.
Nisur nga kjo llogjikë, pyteja që lind është që çfarë ndodhi që të dorëhequrit e 17 gushtit, dy ditë më ndryshuan qëndrim në vijimësinë e kryerjes së detyrës deri në shtator?
Një variant është ai që duke pasur pozicionet qeveritare ato e kanë më të lehtë për t’u takuar dhe për t’i paraqitur zyrtarisht raportin mbi zgjedhjet ambasadorëve dhe çdo misioni tjetër ndërkombëtar të akredituar në Tiranë. Kjo ndodhi me zv.kryeministren teknike, e cila pasi dha dorëheqjen, u takua me diplomatët të cilëve iu dha një kopje të raportit. Njoftimi zyrtar mban logon e qeverisë dhe ka shumë më tepër peshë se logot e partive.
Varianti tjetër më pak i besueshëm, por që qëndron nisur nga politika shqiptare, është se ata po i bëjnë një karshillëk kryeministrit, duke vijuar të mbajnë postet që u shpërndanë pas marrëveshjes politike të majit. Edi Rama nuk mund që sot t’i shkarkojë këta ministra pavarësisht se ata mund të konfliktohen me çdo hallkë në dikasteret që drejtojnë, sikundër ata nuk mund të detyrojnë kryeministrin të mbledhë qeverinë dhe t’ia bëjnë karshillëkun sy më sy.
Thjesht ajo që bënë më 17 gusht mund të quhet një tallje me aktin e dorëheqjes, ose një zhvlerësim i tij… /tesheshi.com/