Rënia e jashtëzakonshmërisë amerikane nuk mund të vinte në një kohë më të përshtatshme për Kremlinin. Për më shumë se një dekadë, presidenti rus, Vladimir Putin është ankuar për deklaratat e Shteteve të Bashkuara plot alarm dhe shqetësim, apo për vendosjen e sanksioneve, sa herë që protestat shpërndaheshin me dhunë apo sa herë që vritej ndonjë figurë e opozitës.
Për Putinin, jashtëzakonshmëria amerikane, apo rasti i veçantë amerikan, ka të bëjë me faktin që Shtetet e Bashkuara i jepnin të drejtë vetes të kritikonin Rusinë mbi argumente morale dhe të bënin presion edhe në punët e jashtme sovrane të vendeve të tjera.
Ndryshimi mund të vijë nën administratën Trump. Departamenti amerikan i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë qëndruan në heshtje këtë javë për dy ngjarje: shpallja më e fundit fajtor e liderit të opozitës, Alexey Navalny për përvetësim, me gjasa duke i dhënë fund kandidaturës së tij për president në zgjedhjet e vitit 2018 dhe sëmundjes misterioze e me gjasa vdekjeprurëse të Vladimir Kara-Murza, një tjetër figure të opozitës, që, ashtu si beson familja e tij, është helmuar dy herë që nga viti 2015.
Dhe pastaj, mbërritën komentet e presidentit Trump kur moderatori i një televizioni konservator, Bill O’Reilly e etiketoi Putinin si “një vrasës”.
“Ka shumë vrasës. Ti mendon se vendi ynë është i pafajshëm?”, u përgjigj Trump.
Zëdhënësi personal i Putinit, Dmitri Peskov, kërkoi që “Fox” të ofronte ndjesë, një lëvizje e pazakontë nga Kremlini që më pas i uli tonet. Zyrtarët rusë kanë thënë se janë të shqetësuar se mjedisi republikan do të kërkojë të krijojë ndasi midis Putinit dhe Trump dhe kanë vënë në dyshim idenë nëse lideri amerikan do të jetë në gjendje të mbajë presionin nga partia e tij dhe të vendosë një marrëdhënie më miqësore me Putinin.
Pas reagimit të parë, lideri i mazhorancës në Senat, Mitch McConnell u tërhoq drejt një toke më të sigurtë, duke e cilësuar Putinin “një bandit”, një fjalë kjo e përdorur në debatet gjatë garës së republikanëve brenda partisë dhe gjithashtu në raportimet për të karakterizuar pikëpamjen e administratës Obama për Putinin. Kritikët e Trump, si senatorët John McCain dhe Marco Rubio, gjithashtu nuk u ndjenë shumë, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk mund të jenë moralisht të barazuara.
Duke e quajtur Putinin “një vrasës”, O’Reilly me gjasa i referohej vrasjes së kundërshtarëve politikë – ku përfshihet edhe ish-zëvendëskryeministrit Boris Nemtsov, qëlluan dy vjet më parë me armë pranë mureve të Kremlinit – vrasje që në rastin më të mirë mbetet gjysmë e zbardhur. Anna Politkovskaya, gazetarja që shkroi ashpër ndaj dhunës në Çeçeni, u vra në ashensorin e shtëpisë së saj në vitin 2006. Natalya Estemirova, punonjëse e të drejtave të njeriut që bashkëpunonte rregullisht me gazetarët, u rrëmbye në Çeçeni dhe u vra në vitin 2009.
Janë edhe dy raste të tjera, gjithashtu, të tilla si vrasja e ish- agjentit Alexander Litvinenko, i cili u largua drejt Londrës dhe vdiq nga rrezatimi helmues në vitin 2006.
Për disa, imazhet e autoriteteve që mbulojnë vdekjet e aktivistëve anti-qeveritarë dhe trajtimi i pashpirt i kujtimit të tyre, janë shenja të fajit.
“A është e mundshme kjo në një vend ku autoritetet nuk kanë vrarë kundërshtarët e tyre?”, shkroi Viktor Kogan, vullnetar pranë një memoriali të lëvizshëm për Nemcov, duke ripostuar një video që u bë virale e punonjësve të bashkisë që hidhnin parrullat, portretet e lulet për Nemcov në pjesën e pasme të një kamioni, ndërsa të tjerë sulmonin ata që filmonin.
Të paktën publikisht, nuk ka asnjë provë të pakundërshtueshme që pas këtyre vrasjeve qëndron Putini. Proceset gjyqësore në rastet e Nemcov, që vazhdon, dhe të Politkovkajës ua vunë gishtin e fajit agresorëve që tërhoqën këmbëzën dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Por personat që urdhëruan vrasjet – “zakazchiki”- mbeten të lirë. Në rastin e Estemirovës, përpara gjykatës nuk u nxorr asnjë i dyshuar.
Hetimi britanik për vrasjen e Litvinenkos përfundoi me dëshminë e ish-gjykatësit, Sir Robert Owen se Putin “me gjasa miratoi” vrasjen.
Kritikët në Rusi thonë se, në fund fare, Kremlini është përgjegjës për krijimin e një kulture të dhunës politike që kalon e pandëshkuar, ku angazhimi në politika opozitare të pamiratuara është i barabartë me humbjen e së drejtës për të marrë drejtësi.
“Unë personalisht, nuk mendoj se vetë Putin urdhëroi vrasjen e Politkovkajas, Nemcovit apo edhe të Litvinenkos”, thotë Oleg Kashin, gazetari rus që pothuajse u rrah për vdekje në një sulm të vitit 2010, për të cilin ai fajëson një konflikt me një guvernator rajonal. Në atë kohë, presidenti Dimitry Medvedev premtoi zbardhjen e rastit, por kjo nuk ndodhi kurrë. “Por, unë jam i sigurtë se ai e di se kush i vrau ata dhe po i mbulon, duke e bërë veten të paktën bashkëpunëtor”.
Logjika është si më poshtë: edhe nëse Kremlini nuk ka urdhëruar vrasjet, kush do t’i ndërmerrte ato pa miratimin paraprak të tij. Apo të shmangte Drejtësinë pa miratimin e mëvonshëm të Kremlinit?
Putini është “përfundimisht politikisht përgjegjës për këtë klimë frikësuese dhe vrasjet, praktikisht, ndodhin në Rusi për shkak se njerëzit nuk ndëshkohen, për shkak se ai nuk e adreson këtë si një problem”, thotë Mikhail Fishman, gazetar televiziv rus i cili është gjithashtu, kryeredaktor i “Moscow Times”.
Më herët, po gjatë kësaj jave, Fishman solli premierë një film për Nemcov që do të shfaqet në disa qytete në Rusi, një film që është prodhuar me qëllimin e përkujtimit të jetës së Nemcov në politikë sesa me qëllimin e hetimeev për vrasjen e tij.
Por, në lidhje me vrasjen, thotë ai, provat çojnë qartësisht tek lidhjet me Ramzan Kadyrov, liderin e Çeçenisë të caktuar nga Putini, të cilit iu dorëzua mandate për të përdorur të gjitha mjetet për ta mbajtur të qetë atë republikë.
“Shteti dhe ne, gazetarët, shoqëria, e dinë shumë mirë se kush bëri çfarë”, thotë Fishman. “Sidomos kur vjen puna tek vrasjet e lidhura me Çeçeninë”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/