Nënkryetari opozitar i Parlamentit, Edi Paloka përcolli një përgjigje “flakë për flakë” ndaj Gramoz Ruçit që deklaroi se dhuna e ushtruar nga opozita në Kuvend është e paprecedent në 27 vjet. Sipas Palokës, në këta 27 vjet kanë ndodhur ngjarje shumë më të rënda kur Parlamenti është drejtuar nga partia Socialiste.
“Në këto 27 vjet ka ndodhur që deputetë të opozitës janë vrarë dhe sulmuar fizikisht brenda parlamentit. Por si asnjëherë në këto 27 vjet, kriminelët, vrasës, trafikantë droge dhe prostitutash, u ngritën në piedestal si anëtarë të Parlamentit. Si asnjëherë në këto 27 vjet, Garda e Republikes u përdor për të bllokuar foltoren e Parlamentit duke i hequr dhunshem opozitës të drejtën e fjalës. Të gjitha këto dhe më shumë se kaq kanë ndodhur sa here vendi dhe Parlamenti është drejtuar nga partia e Gramoz Ruçit”, shkruan Paloka. /tesheshi.com/