Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, në një dalje tjetër për mediat ka deklaruar se, në lokalitetin e Gjurasit, militantë të LSI kanë rrëmbyer kutinë e votimit.
“Kutia e votimit po transportohej me furgon, por militantët e LSI i kanë dalë para furgonit, kanë marrë kutinë dhe e kanë futur në një fuoristradë të tyre. Por, militantët e PD e kanë ndaluar fuoristradën”, ka deklaruar Paloka.
Paloka ka bërë të ditur se, në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe policia, pasi sipas tij militantët e LSI janë të armatosur.
“Por policia nuk vepron. Presim që autoritetet zgjedhore të ndërhyjnë dhe ta çojnë në vendin e duhur. Militantët e PD nuk do lejojnë asnjë cënim të vetëm të votës së shqiptarëve”, ka thënë Paloka.
Ai ka shtuar se, për këtë veprime janë informuar Prokuroria e Përgjithshme dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, “ndaj i bëjmë thirrje Ilir Metës që të heqë dorë nga këto praktika”.