Nga Anealla Safdar
Sulmet dhe bastisjet “shpaguese” i vënë muslimanët në shenjë në Francë, thotë Yasser Louati i Kolektivit Kundër Islamofobisë
Yasser Louati, zëdhënësi me qendër në Paris i Kolektivit Kundër Islamofobisë në Francë, mori famë së fundi në internet kur dy paraqitës lajmesh e shtrënguan atë të shpjegonte përgjegjësinë e supozuar të bashkësisë muslimane në lidhje me sulmet e fundit në Paris që vranë 130 njerëz.
Në një intervistë pesëminutëshe, të titulluar, “Bashkësitë muslimane i druhen kundërgoditjes pas sulmeve”, drejtuesja televizive e CNN-it, Isha Sesay, i bëri thirrje francezit të “lëvizë dhe të marrë një rol më të madh në ngritjen e zërit,” ndërsa bashkëshoqëruesi i saj në transmetimin televiziv e mbylli intervistën me fjalët, “Unë ende nuk e kam dëgjuar dënimin e bashkësisë muslimane për këtë, por të presim dhe të shohim.”
Nga ana e tij, Louati tha: “Ne nuk mund të bëhemi përgjegjës për këta njerëz. Eshtë puna e qeverisë kur keni kriminelë që sillen sa andej këtej në vend; ju bëni punën tuaj dhe i arrestoni ata … ata terroristë vunë në shenjë çdokënd, përfshirë muslimanët.”
Intervista shtroi pyetjen nëse muslimanët duhet t’i dënojnë apo jo publikisht sulmet pa dallim të marra përsipër nga grupe të armatosura, si grupi i Shtetit Islam të Irakut dhe Levantit (ISIL), që mori përgjegjësinë për dhunën vdekjeprurëse të 13 nëntorit.
Këtu, Al Jazeera interviston Louati-n, i cili mbikëqyr islamofobinë në Francë, mbi pakicën më të madhe muslimane në Europë dhe mbi frikën e tyre nga një kundërpërgjigje pas sulmeve të Parisit.
Al Jazeera: A jeni të shqetësuar për bashkësinë muslimane pas sulmeve të Parisit?
Yasser Louati: Po, sigurisht. Ne tashmë kemi parë një valë dhune. Nëse e krahasoni me janarin e 2015-ës, [pasi u vunë në shenjë punonjës të Charlie Hebdo-së], pati një periudhë kohore të ndërmjetme mes incidentit dhe momentit kur u raportuan sulmet e para kundër muslimanëve. Por këtë herë sulmet e para ndaj minoritetit musliman ishin thuajse të atypëratyshme. Ne pamë gjuhë urrejtjeje në median sociale dhe në artikujt e gazetave të së djathtës. Unë pashë brenda pak orëve kërcënime me vdekje të postuara në faqe të tilla elektronike si Facebook-u dhe Twitter-i.
Al Jazeera: Çfarë ndryshon tjetër në reagimet pas sulmit të 13 nëntorit krahasuar me ato të janarit?
Yasser Louati: Asokohe atmosfera ishte tejet shpërthyese, por ekzistonte ndjenja se së paku qeveria mori masa paraprake dhe u shpreh kundër sulmeve ndaj muslimanëve.
Fenomeni i ri është se ne po vëmë re një heshtje të plotë nga qeveria. Ajo këtë herë është tërësisht pasive. Qeveria po i rëndon më tej sulmet mbi muslimanët në Francë. Presidenti [Francois] Hollande ka deklaruar një luftë kundër terrorizmit; ne mendonim se lufta kundër terrorizmit kishte nisur në janar! Por tani ndjejmë se lufta është deklaruar kundër pakicës muslimane në Francë, armikut të gabuar.
Al Jazeera: Cilat masa të gjendjes së jashtëzakonshme i kanë prekur muslimanët?
Yasser Louati: Ne kemi parë 793 bastisje në shtëpi, në xhami dhe në prona private, duke përfshirë dyqanet dhe restorantet e poseduara nga muslimanët. Në incidentet më tronditëse, një sërë xhamish u bastisën natën dhe u kthyen përmbys nga policia.
Në Aubervilliers, një xhami u bastis natën, dhe policia hoqi tavanin, theu dyert dhe i hodhi librat në tokë, duke përfshirë Kur’anin. Ata bënë pis tapetin. Eshtë absurde, nuk është nevoja për këtë! Të gjitha xhamitë janë tashmë nën mbikëqyrje.
Ne vëmë në diskutim efikasitetin e sulmeve. Ne dimë për një burgosje nga këto bastisje. A është i nevojshëm një brutalitet i tillë për një të arrestuar?
Në Nice, copa e një plumbi të policisë goditi një gjashtëvjeçare në qafë dhe në vesh, raportoi gazeta lokale Nice Matin ndërsa postoi pamje filmike të pas ngjarjes. Kjo përbën brutalitet policor kundër muslimanëve, dhe ne nuk kemi marrë asnjë siguri çfarëdo nga qeveria.
Al Jazeera: Përveç gjatë bastisjeve, a jeni njoftuar për dhunë gjetkë?
Yasser Louati: Kur vjen puna te sulmet nga njerëzit, ne kemi parë sulme fizike mbi gratë. Ato që mbajnë shami koke janë shpesh të vëna në shenjë kur gjenden vetëm.
Në Marseilles, një grua u qëllua me grusht në fytyrë. Në Givors, në supermarketin Carrefour, një burrë e shembi në tokë me shqelma një grua, ndërsa ata që gjendeshin rreth e rrotull nuk vepruan në mbrojtje të saj.
Një grua e pafat u godit në Pontivy nga gjashtë njerëz në një marshim të organizuar prej së djathtës ekstreme ku morën pjesë rreth 200 persona, e është në gjendje kome; ca e kishin paralajmëruar kryetarin e bashkisë të mos e lejonte marshimin, por ai qe përgjigjur se duhej të vazhdonte në emër të fjalës së lirë. Një burrë tjetër u qëllua në veri të Francës.
Ka një sërë shembuj të grafiteve në xhami, me disa që shkruajnë, “Vdekje muslimanëve”, apo “Valixhe ose arkivol”, që do të thotë, “Ikni, ose kemi për t’ju vrarë”, ndërsa të tjera janë bërë me kryqe.
Në tërësi, ka patur më së paku 26 sulme mes 14 dhe 19 nëntorit, dhe ne po dëshmojnë tani një mesatare prej rreth katër sulmesh në ditë.
Al Jazeera: Çfarë po bëjnë ata që janë sulmuar?
Yasser Louati: Njerëzit nuk duan të ngrejnë padi. Një numër dyqanesh janë sulmuar, por lajmet na erdhën nga fqinjët. Njerëzit janë të trembur nga raprezalja, apo janë të trembur nga vetë qeveria. Ka një kundërpërgjigje të dhunshme që vjen nga qeveria kundër muslimanëve. Njerëzit po prisnin simpati nga presidenti Hollande, që të thoshte, “Ne nuk jemi në luftë me qytetarët tanë muslimanë.”
Unë për vete pres të bastisem në çdo kohë… Gjendja e jashtëzakonshme i ka dhënë fuqi të tillë të gjerë ministrit të Brendshëm, sa çdo shtëpi mund të bastiset, çdo makinë mund të kontrollohet; ne thjesht po presim momentin që të ngjasë me ne.
Al Jazeera: Si ndjehen njerëzit nga minoriteti musliman?
Yasser Louati: Le të mos harrojmë që këta njerëz u prekën gjithashtu nga sulmet; po flasim për më shumë se 100 njerëz të vrarë në një natë. Ne madje nuk kishim të drejtën të ndjeheshim të pikëlluar për ta. Unë jam i brengosur për viktimat dhe familjet e tyre. Ata ishin të tërë me të shkuar të ndryshme: krishterë, muslimanë, hebrenj, të zinj e të bardhë.
Ndjenja nga pakica muslimane është se ne po paguajmë për tre dështime: për politikën e jashtme, e cila e ka kthyer Francën në një shtet armik, për politikën e brendshme, e cila është sociale dhe ekonomike, dhe ka dështuar ta integrojë pakicën muslimane, dhe për dështimin e komunitetit të inteligjencës; të dyshuarit e 13 nëntorit ishin të njohur për ta.
Al Jazeera: Çfarë kuptoni me “sociale dhe ekonomike”?
Yasser Louati: Franca nuk ka arritur ta integrojë pakicën muslimane; të dyshuarit kanë të njëjtat veçori: margjinalizim, kriminalitet. Eshtë [Franca] që po prodhon vazhdimisht të njëjtin lloj monstrash.
Al Jazeera: Çfarë i këshilloni njerëzit të bëjnë kur vijnë tek ju?
Yasser Louati: Jemi të përmbytur tani nga thirrjet. Unë kam 1700 e-mail-e në inbox-in tim. Nëse njerëzit na kontaktojnë pasi janë sulmuar, ne përpiqemi t’i bëjmë të ndjehen të sigurt dhe t’u japim besim. I inkurajojmë të ngrejnë padi, e të shkojnë në stacionet policore. Por shumë shprehen se kanë frikë se nëse ankohen, ata do të bastisen. Ata nuk ndjehen të sigurt.
Al Jazeera: Si e karakterizoni reagimin politik ndaj situatës në përgjithësi?
Yasser Louati: Ministri i Brendshëm [Bernard Cazeneuve], duke folur në prill, tha se radikalizimi nuk ngjet në xhami, duke e bërë bashkësinë muslimane dhe publikun francez të ndjehej më i sigurt. Tani ai po thotë, “Ne kemi për t’i mbyllur xhamitë e radikalizuara.” Në një mënyrë, ai po kundërshton veteveten, dhe mendoj se kjo është për shkak të presionit të ushtruar nëpërmjet panoramës politike prej së djathtës ekstreme përpara zgjedhjeve. Njerëzit po përpiqen të pozicionohen.
Al Jazeera: Si ndjeheni kur dëgjoni të përdoret termi “luftë kundër terrorizmit”?
Yasser Louati: Ata kanë deklaruar një luftë kundër terrorizmit, por kanë zgjedhur armikun e gabuar. Pakicat muslimane janë viktimat e para të terrorizmit anekënd botës.
Marrë nga Al Jazeera
Përktheu: Bujar M. Hoxha – tesheshi.com