Partia Demokratike është shprehur edhe një herë sot në lidhje me pajisjen e përgjimit që ndodhet në Ministrinë e Brendshme, ndërsa deklarojnë se kjo pajisje gjendet prej disa kohësh në duart e Saimir Tahirit dhe përgjimi është kryer.
“Saimir Tahiri ka arritur një nivel edhe më të lartë kriminal, duke kryer përgjim të paligjshëm të Presidentit, opozitës, krerëve të institucioneve, mediave dhe ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë”, – tha nga selia e PD-së Arben Ristani.
Sipas tij, ky krim shtetëror e kapërcen masën e mundësive të Tahirit dhe është drejtpërdrejt përgjegjësi e Edi Ramës, i cili, siç tha Ristani, hesht prej ditësh për këtë ngjarje, duke i vënë vulën sundimit mafioz në vend dhe veprimit të qeverisë si bandë kriminale, mbi ligjin dhe Kushtetutën.
“Edi Rama është nën akuzë për këtë krim shtetëror, dhe sa më shumë hesht, aq më shumë e rëndon pozicionin e tij në këtë shkelje brutale të ligjit, të kushtetutës dhe të çdo norme demokratike”, – ishin fjalët e deputetit Arben Ristani.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili në një postim të tijin në Facebook shkruan: “Me pretekstin e “përgjimit”, nuk anashkalojnë dot as reformën në drejtësi, as luftën kunder pandëshkueshmërisë!”. /tesheshi.com/