Protesta studentore vijon të jetë çshtje ditë për publikun shqiptar. Në më shumë se dy javë zhvillim, asnjë zhvillim tjetër nuk ka mundur dot t’i ndërfutet për ta zbehur e zhvendosur nga “apertura” mediake – thënë ndryshe, nga faqja e parë. As Bularati me të dyzetat e e Kacifasit, e së fundi as përzënia e ambasadorit iranian.
Ajo tashmë po konsumohet në dy tablo: nga njëra anë është grupimi që nuk pranon dialogun me kryeministrin, e që kanë dhe një “nur heroik” në këmbënguljen për plotësimin apriori të 8 pikave, e një pjesë e cila bën të “urtën”, duke pranuar të dialogojë me të parin e punëve të vendit. Por media që e ka rrethuar atë nga çdo anë për ta mbajtur nën kontroll raportues, nuk ka mundur ende të shtyhet më tej në ca qasje analizuese, sidomos mbi “pafajësinë” ose jo të protestës. Më saktë, rrënjëve të saj. Ndërkohë, ballafaqimi student-kryeministër, është përqëndruar vetëm te raportimi i rasteve spektakolare kur i riu apo e reja bën rebeli(e)n, shfryrësin ndaj të parit të qeverisë, ashtu sy më sy, siç nuk ka ndodhur deri më sot, pa u vëmendësuar te diçka më e trishtueshme se sa shkujdesja etike: niveli katastrofik i artikulimit dhe boshësia e thellë kulturore, edhe në çështje universitare për të cilat janë ngritur. Me performancën e deritanishme, ku nuk haset asnjë fjalëmbajtje cilësore, etike dhe inteligjente bashkë, me tregues të thellë, apo më pak akoma, me shenja të një përgatitjeje skrupuloze në çastin kur vendos të marrësh mikrofonin e të flasësh me shefin e qeverisë, studentët i kanë bërë një tjetër denoncim degradimit të cilësisë së arsimit të lartë.
Pra, ata sot, nuk janë në gjendje që të kenë përgjigje hipotetike për 8 pikat. Nëse pyeten për ca prej tyre, ato që janë më delikate, siç dhe janë pyetur, se si do ta zgjidhinin ata vetë, nuk e kanë patur problem ta pranojë një padije të thellë dhe njëherësh të pafalshme për një shkollëlartas, që në pak vite do jetë me përgjegjësi, në shtet apo privat.
Dhe tani dalim te ajo që mund të jetë underground. Edhe pse në dukje një protestë e drejtë dhe legjitime – në fakt historia botërore të gjitha protestat për të tilla i njeh – jo gjithnjë mund të jenë dhe “të pafajshme” në rrënjët e tyre, atje ku vështirë të shkohet me sy, por më mendje po. Të gjithë e pranojnë se nga pikëpamja sociologjike, në raport me kontekstin shqiptar, protesta, në mënyrën se si shpërtheu dhe se si u masivizua, derisa dhe u shndërrua dhe një kauzë dehëse publike dhe e frikshme për pushtetin, është deri diku e pashpjegueshme racionalisht. Pjesa e shpjegueshme sakaq është nervi rinor me shpjegimet e veta hormoniale, ardhur dhe nga një lloj frustrimi social, duke patur si furnitor bazë me “lëndë të parë” pakënaqësitë sociale. Por kur ndodh kjo? Ndodh fill pas një vendimi trandës qeveritar për mbylljen e Lojrave të Fatit. Dhe në e dijmë se lojrat e fatit, globalisht por sidomos në kushte shqiptare, janë një mafie e mirëstrukturuar në vite dhe me shumë tentakula. Ajo që zakonisht është një fjalë goje – të mbyllësh Lojrat e Fatit – është në fakt shpallja e një lufte. Dhe siç e dijmë, fitili që provokoi protestën, një afishim VKM-je mbi tarifat në kohën e panevojshme, përbën një pikëpyetje jo të vogël. Më pas, me gjasë kanë vepruar të gjithë aktorët dhe mjetet e projektuara për të ndezur situatën. Dhe kjo, duke shfrytëzuar pikërisht studentët, të cilët, pavarësisht kohës dhe rrethanave, duke qenë të rinj dhe me një status publik frymëzues – student – i kanë të gjithë resurset e brendshme psikologjike, për t’u shndërruar në masë njerëzore vullkanike. Thjesht ato janë të fjetura dhe zgjohen për një çast. Por kjo nuk e cenon legjitimitetin e protestës. Ajo çfarë mund të jetë gatuar diku në një guzhinë të errët, nuk e ndyn aspak shkëlqimin e protestës, as të drejtën me hak të atyre të rinjve studentë për të protestuar. Por fakti se këto ditë, deri dhe gazeta me linjë editoriale të njohur pro Ramës, e deri dje me shumë reklama llotosh sporti, sot janë kthyer kundër tij, tregon se diku “fle një lepur”.
Gjithashtu dhe fakti se gjithë këto ditë, në qarqe edhe politike, sidozot të opozitës, por dhe të tjera që lidhen me pushtete okulte, ka gjalluar refreni se “Rama edhe pak ditë është në pushtet…”, tregon se llogaritë janë krejt të tjera nga arsyet e protestës së studentëve. Së paku duhet të pranojmë se mbyllja e lojrave të fatit, nuk mund të jetë thjesht një fjalë goje.
Këto ditë, edhe gazetarë sportivë pa pikë nervi politik, çuditërisht janë angazhuar kundër Ramës. Dhe siç dihet, ka patur gjithnjë një lidhje të afërt e krejt të natyrshme, mes llotove dhe gazetarisë sportive; më saktë një pjese të gazetarëve sportivë. /tesheshi.com/