Ka përfunduar në Gjykatën e Lartë seanca gjyqësore Rama-Ristani, ku Kryeministri i vendit ka paditur deputetin demokrat Arben Ristani për shpifje.
Avokati mbrojtës i demokratit, Ivi Kaso ka deklaruar në përfundim të seancës së kjo çështje duhet të pushohet dhe klienti i tij të shpallet i pafajshëm.
“Çështja duhet të pushohet. Arben Ristani duhet të shpallet i pafajshëm. Ai ka folur në emër të forcës politike”,- tha avokati Kaso.
Në këtë seancë gjyqësore nuk ka qenë i pranishëm as Kryeministri Rama e as i padituri Ristani, por vetëm avokatët e tyre mbrojtës.
Kryeministri Edi Rama ka paditur sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, për “shpifje” dhe “fyerje”, në lidhje me deklaratat e bëra nga PD gjatë muajit janar, ku akuzohet qeveria për mbështetje të bandave kriminale.
Kreu i qeverisë ka bërë publike padinë ndaj z. Ristani gjatë një seance parlamentare, ku është shprehur se do të mjaftonte qoftë edhe një provë e vetme që ai të hiqte dorë nga detyra e tij politike e të vihej në dispozicion të plotë të drejtësisë./tesheshi.com/