Organizata jo-qeveritare e drejtuar nga Tony Blair e cilëson Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë dhe Partinë Progresiste Serbe të Aleksandër Vuçiçit në Serbi, si dy ndër forcat politike më populiste në Ballkan.
Në një raport që ka shpërndarë për media, “Instituti për Ndryshimin Global” thekson se në Europën Lindore po rriten frikshëm forcat populiste që po bëjnë më të vështirë proceset integruese.
Sipas raportit, ndërsa në vitin 2000 partitë populiste merrnin 8.5% të votës popullore mesatarisht, sot ata kanë shkuar deri në 24%.
“Armët kryesore të forcave populiste janë urrejtja, polarizimi, krijimi i dasive dhe nacionalizmat.
Populistët janë të fortë në Europën Lindore. Ata janë bërë tashmë forca kryesore në të paktën shtatë vende: Bosnja, Bullgaria, Republika Çeke, Hungaria, Polonia, Serbia dhe Sllovakia.
Por edhe opozitat në këto vende kanë ngjyra të theksuara populiste.
Përveç forcave të djathta, ka edhe grupime politikisht të majta që përqafojnë populizmin, siç janë Vetëvendosja në Kosovë dhe Partia Socialdemokrate në Sllovaki”, theksohet në raport.
Si kampion i populizmit, organizata e Blair cilëson Fidesz-in e Viktor Orban në Hungari, ndërsa në vend të dytë rreshtohet Partia Progresive e Vuçiçit.
Tony Blair ka qenë deri para 4 vitesh këshilltar i kryeministrit serb, por u largua kur Vuçiç thirri ish-kancelarin gjerman, Gerard Schroder, si strategjist dhe kryelobist kryesor. /tesheshi.com/