Një skandal i madh ka shpërthyer në OKB, ku zyrtarë të lartë të organizatës janë akuzuar për një aferë që lidh korrupsionin me abuzimet seksuale.
Një shkrim i botuar nga britanikja “The Guardian” akuzoi zyrtarët e “Pallatit të Qelqtë” se kanë bashkëpunuar me një kompani ruse të transportit ajror, edhe pse një personel i kësaj kompanie abuzoi seksualisht me një të mitur në Republikën Demokratike të Kongos.
Drejtuesit e lartë të OKB-së e cilësuan si të mbyllur bashkëpunimin me UTair pas mbylljes së hetimeve që provuan dhunën seksuale ndaj një vajze kongoleze, e cila u gjet e zhveshur dhe me shenja dhune në trup në bazën e helikopterave të kompanisë.
Një raport sekret i OKB-së, i siguruar nga “The Guardian”, thotë se vajza kishte qenë pre e dhunës seksuale sistematike prej stafit të kompanisë ruse. Ajo ishte përdhunuar, rrahur dhe në trup kishte shenja edhe të djegies me cigare. Raporti arrin në përfundimin se ky krim, i ndodhur në vitin 2010, është organizuar nga menaxheri i bazës UTair në Kalemie të Republikës Demokratike të Kongos.
Kopje të raportit qarkulluan nëpër zyrat e drejtuesve më të lartë të OKB-së, të cilët publikisht u zotuan për ndërprerjen e bashkëpunimit me kompaninë ruse. Por ajo që deklarohej në publik nuk u zbatua asnjëherë në terren. Që prej 2010-ës, kompania ruse e transportit ajror ka vazhduar të përfitojë kontrata të majme nga OKB, në shifra që shkojnë deri në 500 milionë dollarë, duke e bërë atë kompaninë kryesore të kontraktuar nga OKB.
Vazhdimi i bashkëpunimit me këtë kompani cilësohet si skandal nga shumë media dhe mbërrin në një moment kritik për Sekretarin e Përgjitshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, i cili po përballet edhe me akuzat për abuzime seksuale ndaj fëmijëve nga paqeruajtësit francezë në Republikën Qendrore të Afrikës.
/tesheshi.com/