Dy takime të zhvilluar së fundmi të presidentit me dy kandidat të PDK-së për kryetar komunash ka bërë që të reagojnë partitë opozitare, Vetëvendosje dhe LDK, të cilat akuzojnë presidentin se po ndërhyn në fushatë zgjedhore dhe kështu po shkel Kushtetutën.
Një takim i zhvilluar të dielën mbrëma mes presidentit Thaçi dhe Sokol Bashotës kryetar aktual i Klinës dhe kandidat për mandatin e katërt ka bërë që Vetëvendosje ta hedh akuza në drejtim të kreut të shtetit për siç thotë përfshirje në fushatë elektorale.
Shqipe Pantina, deputete e VV-së që vjen nga qyteti i Klinës thotë se presidenti me përkrahjen për Bashotën hapir po e shkel Kushtetutën.
“Sipas Kushtetutës Presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit dhe ai e ka të ndaluar të anoj kah një subjekt politik e në veçanti të përkrah një kandidat apo tjetër gjatë fushatës zgjedhore. Vizita e Thaçit në Klinë në përkrahje të kandidatit të PDK për kryetar është shkelje e Kushtetutës. Çfarë mund pritet tjetër nga një president kundër kushtetues, por deri kur qytetarët do durojnë të udhëhiqen nga njerëz të tillë varet nga vet ata. Me 22 tetor e kemi mundësinë të i themi MJAFT dhe shkelësit e Kushtetutës e ligjeve të i dërgojmë aty ku e kanë vendin!”, ka shkruar Pantina në Facebook.
Ditë më parë për ndërhyrje në fushatë presidentin e ka akuzuar edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë Xhafer Tahiri pasi Thaçi më 8 tetor takoi në një nga restaurantet e këtij qyteti kandidatin e PDK-së per kryetar të kësaj komune. /tesheshi.com/