Aktivistët e tri partive opozitare VV, AAK, NISMA përmes një aksioni simbolik vendosën sot rreth qeverisë shiritin me mbishkrimin “Vendi i krimit: Këtu rrinë shkelësit e Kushtetutës”.
Opozita e bashkuar përmes një deklarate thotë se marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit me Serbinë në Bruskel, janë marrëveshje kriminale që e dëmtojnë rëndë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
“Kjo qeveri, e ndërtuar mbi dosje kriminale, krejt çka i ka sjellë Republikës sonë janë koncesionet e dëmshme që na e zhbëjnë këtë Republikë. Mustafa e Thaçi e gënjyen popullin e Kosovës se kinse do të anëtarësohemi në UNESCO, e kinse do të ketë raport pozitiv për liberalizim të vizave. Ata gënjyen kur thanë që Kosova nuk humb asnjë milimetër me demarkacion me Malin e Zi. Për më tepër, ata e gënjyen gjatë popullin e Kosovës duke thënë që “Zajednica” është në përputhje të plotë me Kushtetutën, dhe që nëse nuk del ashtu, do të japin llogari”, thuhet në deklaratë.
Opozita thotë se pas vendimit të Kushtetueses, dyshja Thaçi-Mustafa duhet të japin llogari, të largohen nga pushteti, ose në të kundërtën qytetarët e Republikës, do t’i detyrojnë që të largohen. /tesheshi.com/