Presidenti Hashim Thaçi nuk po arrin të ulë në një tryezë liderët e të gjitha partive politike, pasi opozita sërish sot nuk i shkoi në takim për të biseduar për reformën zgjedhore.
Ndërsa presidenti nuk po del të jetë faktor unifikues i spektrit politik kosovar, një gjë të tillë po e bëjnë sigurisht ndërkombëtarët.
E pikërisht sonte në mbrëmje liderët e partive pritet të ulen në një tryezë me ftesë të komisionarit për politika evropiane të fqinjësisë së mirë dhe negociata të zgjerimit, Johannes Hahn bashkë me eurodeputeten Ulrike Lunaçek.
Partitë opozitare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin me përfaqësuesit ndërkombëtarë, por jo me Thaçin.
Në takimin e Hahn dhe Lunaçek me liderët e partive më të mëdha kosovare pritet të diskutohet për çështjen e Demarkacionit në mënyrë që të arrihet një dakordim mes mazhorancës dhe opozitë se si të vazhdohet më tutje për këtë çështje.
Ndryshe, vlen të përmend se një takim i organizuar nga Naim Rashiti i “Grupit i Ballkanit për hulumtimin e politikave” me krerët e partive nuk ka dhënë rezultat edhe pse palët ishin afër një dakordsie por që në fund gjithçka rezultoi pa sukses. /tesheshi.com/