Partitë opozitare kosovare në një takim të mbajtur sot në Prishtinë kanë thënë se protestat e tyre nuk do të ndalen deri në largimin e qeverisë, duke shtuar se në manifestimin e radhës do të kenë përkrahje edhe më të madhe nga qytetarët.
Kryetari i “Nisma”-s së Kosovës, Fatmir Limaj, në fjalimin e tij para simpatizantëve të opozitës, tha:
“Me 9 janar ne treguam një faqe të re të Kosovë. Po ashtu ne treguam mesazhin e qartë: Kosova nuk pranon që të qeveriset nga ata që shkelin kushtetutën.”
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se dy partitë në koalicion, PDK dhe LDK armiqësuan qytetarët deri në vëllavrasje, ndërsa tash janë duke qeverisur bashkë.
“9 Janari është diçka e re. Jemi bërë bashkë dhe i kemi dhënë fuqi kauzës tonë të drejtë. Kjo mënyrë e të qenit bashkë do të na udhëheqë edhe në të ardhmen. Ne mund të jemi të ndryshëm, por kauzën tonë do të jemi bashkë. Ata që po vendosin për Kosovën nuk janë të dinjitetshëm.”
Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, falënderoi simpatizantët e opozitës për pjesëmarrjen në protestën e 9 janarit, duke shtuar se duhet vazhduar me të njëjtin intensitet të rezistimit.
Ai theksoi se kur dolën në protestë, pushteti filloi t’i quante ekstremistë fetarë, Daqiqi e quajti Kosovën ISIS e Thaçi protestuesit i quajti ekstremistë.
“Opozita e bashkuar po merr karakterin e lëvizjes popullore për ndryshim. Ne dallojmë nga politikanët e regjimit, ne jemi për mbrojtje të republikës e jo zëdhënës të saj. Sa më të dobët të jenë shtetrrënuesit, aq më i dobët do të jetë shkatërrimi i vendit. Ne do të vazhdojmë të jemi në rrugë për aq sa këta janë në pushtet”, deklaroi Ymeri.
Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe deputetët Albin Kurti, Glauk Konjufca, etj., të cilët ditë më parë u liruan nga masa e “arrestit shtëpiak.” /tesheshi.com/