Opozita e re shqiptare në Maqedoni kërkon urgjentisht që shqiptarët të unifikojnë urgjentisht qëndrimet dhe të përballojnë fort provokimin e radhës.
Lëvizja BESA, lëvizja për Reforma në PDSH e Zijadin Selës dhe Rilindja Demokratike Kombëtare kërkojnë urgjentisht që shqiptarët të bashkohen.
LRPDSH
Lëvizja për Reforma e PDSH-së e udhëhequr nga Ziadin Sela ka shprehur shqetësimin e thellë për ngjarjet që zhillohen sot në qytetin e Kumanovës “Apelojme deri tek popullata civile në Kumanovë që të qëndrojnë bashkë dhe të ju shmangen provokimeve të mundshme të disa qarqeve që asnjëherë nuk kanë kursyer popullatën civile për të realizuar qëllimet e tyre. Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme si dhe institucionet e tjera qeveritare të involvuara në këtë situatë të tërhiqen nga zonat e banuara me shqiptarë dhe të mos mbajnë popullatën civile shqiptare në shtet-rrethim. Kërkojmë urgjentisht ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, si institucion i vetëm tek të cilët shqiptarët kanë besim, që të ndërhyjnë sa më shpejte dhe mos të lejojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës”, thekson kjo lëvizje.
BESA
Në lidhje me aksionin policor dhe përleshjet e armatosura që zhvillohen në Kumanovë, ka reaguar edhe Lëvizja BESA e cila thotë se ka pranuar me shqetësim dhe indinjatë të thellë lajmin se sot që nga orët e hershme të mëngjesit në Kumanovë po zhvillohet një aksion i armatosur ndërmjet policisë së Maqedonisë dhe disa grupeve të armatosura. Me këtë rast Lëvizja BESA i drejtohet gjithë opinionit me disa mesazhe:
- Aksionet e armatosura në zonat shqiptare në Maqedoni nuk shkojnë në favor të çështjes shqiptare të Maqedonisë dhe nuk i kontribuojnë as çështjes shqiptare në Ballkan. Incidentet e këtilla sot i shërbejnë vetëm katërshes Gruevski & Mijallkov dhe Ahmeti & Xhaferi, që ta shpëtojnë veten dhe klanet e tyre.
- Prandaj u bëjmë thirrje grupeve të armatosura, nëse ata janë shqiptarë, që mos të bëhen mjete të këtyre agjendave antishqiptare dhe të mos e dëmtojnë edhe më shumë popullin shqiptar në Maqedoni.
- i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që t’i ndalë menjëherë sulmet në Kumanovë dhe të tërhiqet, sepse vrasja e civilëve të pafajshëm nuk e amniston asnjë aksion të policisë.
- i bëjmë thirrje partisë shqiptare në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim, që mos të sillet si spektatore me komunikatat e saj, por ta marrë pjesën e saj të përgjegjësisë. Kërkojmë që ajo sot të deklarohet publikisht se kush e ka dhënë urdhrin për ato sulme, kush është sulmuar dhe pse janë vrarë civilët shqiptarë në Kumanovë. Duke qenë pjesë e Qeverisë, ne konsiderojmë se ajo është bashkëpjesëmarrëse në këto sulme në Kumanovë dhe në vrasjen e civilëve shqiptarë.
- i bëjmë thirrje edhe popullatës shqiptare të Kumanovës që ta ruajë gjakftohtësinë, të mos u bashkohet forcave pa agjendë dhe ta dijë se lufta është një letër e konsumuar dhe ajo ka rezultuar e dëmshme pikërisht për shqiptarët e Maqedonisë, aq më shumë për kumanovarët. 6. Në fund i bëjmë thirrje edhe faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjë sa më shpejt dhe të ndihmojë në tejkalimin e kësaj krize, sepse këta politikanë të papërgjegjshëm janë në gjendje të bëjnë çmos vetëm që ta shpëtojnë veten e tyre, që ta mbajnë pushtetin ose që të kthehen në pushtet. Për Lëvizjen BESA ky aksion është inskenuar që krizën politike në vend ta shndërrojë në krizë ndëretnike, që kështu të shpëtojnë disa politikanë maqedonas dhe shqiptarë të inkriminuar, ndërsa çmimin e kësaj ta paguajë përsëri popullata shqiptare në Maqedoni. BESA konsideron se prishja e paqes dhe destabilizimi i Maqedonisë shkon në të dëm të të gjithë shqiptarëve, por edhe në dëm të rrugës euro-integruese të vendit.
RDK
Kryesia e ngushtë e Rilindjes Demokratike Kombëtare në koordinim me Degën e RDK-së në Kumanovë shpreh shqetësim të thellë për ngjarjet e sotme në qytetin e Kumanovës dhe vlerëson se këto skenare të orkestruara do të përfundojnë me përgjigjen më të mirë për maturi, qetësi, dhe urtësi të popullit shqiptar, i cili njëzëri kundërshton zgjedhjen e dhunës, konfliktit dhe gjakderdhjes si mënyrë të daljes nga kriza e krijuar. Këtë e kemi theksuar në vazhdimësi, dhe do të vazhdojmë të mbajmë të njëjtin qëndrim edhe më tutje, për skenar të mundshëm edhe në të ardhmen.