Pas vendimit për mospjesëmarrje në mbledhjet e kryesisë dhe bllokim të seancave, nga e hëna tre partitë opozitare kanë nisur bojkotimin edhe të punës së komisioneve funksionale brenda Kuvendit.
Pa praninë e opozitës sot është mbledhur komisioni parlamentar për mbikëqyrje të AKI-së për të dëgjuar raportimin e inspektorit të përgjithshëm të këtij institucioni.
Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, i raportoi komisionit me dyer të mbyllura për mediat. Takimi është drejtuar nga zëvendëskryetarja e dytë e tij, për shkak se si kryetari, Haxhi Shala, ashtu edhe zëvendëskryetari i parë, Rrustem Berisha nuk kanë qenë të pranishëm. Ata janë pjesë e partive opozitare që kanë vendosur të bojkotojnë edhe punën e komisioneve të kuvendit.
Kjo bllokadë vjen me kërkesën që kryeministri Isa Mustafa të tërhiqet nga marrëveshjet me Serbinë të nënshkruara në Bruksel si dhe nga marrëveshja për demarkacion të kufirit me Malin e Zi. /tesheshi.com/