Të rinjtë nuk durojnë më! Mëllefet e tyre, tanimë po i shfryjnë me një formë të re proteste. Përdorin ushqime dhe produkte të tjera konsumi, në shenjë simbolike për të përcjellë mesazhet e tyre.
Pas ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, në shënjestër të të rinjve ishte ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Mëngjesin e sotëm (e hënë), ministri u qëllua nga një grup të rinjsh me vezë, domate dhe paracetamol. Ngjarja ndodhi në hyrje të institucionit që ai drejton. Ndërsa e godisnin me këto produkte, ata e kanë quajtur atë “hajdut”.
Po ashtu, protestuesit mbanin në duar edhe pankarta, në të cilat shkruhej: “Beqaj nuk kalon. Suksese në jetë!”.
Është dashur ndërhyrja e policisë, për të larguar të rinjtë para ambjenteve të ministrisë.
Javës që kaloi, ministri Beqaj u përfshi në një skandal të publikuar në një emision investigativ. Në një audio-regjistrim, Beqaj shkarkonte nga puna një mjek në Tropojë, pasi nuk mori pjesë në një takim të organizuar nga strukturat partiake. Vetë Beqaj e ka mohuar këtë fakt, ndërkohë, Partia Demokratike ka nisur proçedurat për ngritjen e një padie ndaj tij.
Pak ditë më parë, edhe ministrja Nikolla u qëllua me salcë nga studentja, Mirela Ruko, e cila përfundoi më pas në komisariatin nr.1 në kryeqytet./tesheshi.com