Presidenti amerikan, Barack Obama, ritheksoi mbështetjen ndaj Izraelit pas fjalëve të ashpra të kryeministrit izraelit, Benyamin Netanyahu lidhur me marrëveshjen bërthamore mes Iranit dhe 5+1-it, ku bën pjesë edhe Uashingtoni.
Në një intervistë me Thomas Friedman, kolumnistin kryesor të gazetës amerikane ”New York Times”, Obama shpjegon nga Zyra Ovale se ndihej i keqardhur personalisht për akuzat e bëra nga Izraeli, sipas të cilit administrata e tij nuk kishte bërë sa duhej për të mbrojtur interesat e Izraelit.
”Rruga diplomatike dhe marrëveshje me Iranin janë mënyra më efikase për të parandaluar Teheranin të posedojë armën bërthamore”, thekson Obama.
”Marrëveshja është një rast që ndodh vetëm një herë në jetë për t’u përpjekur për ta larguar nga tryezat e bisedimeve çështjen e nxehtë bërthamore”, këmbëngul presidenti amerikan.
”Izraeli ka çdo të drejtë për të qenë i shqetësuar për Iranin, një regjim që ka shprehur dëshirën për ta shkatërruar Izraelin apo që ka deklaruar se nuk e njeh Holokaustin”, shton ai.
”Nëse nuk bëjmë asgjë dhe nëse nuk mbajmë sanksionet, atëherë Irani do të vazhdojë të ndërtojë infrastrukturën e tij bërthamore dhe ne do të jemi më pak në gjendje për të thënë se çfarë po ndodh”, thekson Obama.