Marrëveshja me Iranin po has rezistencë si në SHBA ashtu dhe në qarqe iraniane.
Në fakt kjo marrëveshje ndryshon raportet e forcave në Gjirin Arabik ku Irani dhe Arabia Saudite konkurrojnë njëri-tjetrin për influencën gjeopolitike. Por ajo që është më e dukshmja ka qenë mbetja vetëm e Izraelit në këtë zhvillim, pasi ul ndjeshëm influencën e tij. Në Kongresin e SHBA ka një influencë të fortë lobi izraelit që kundërshton marrëveshjen.
Presidenti amerikan, Barack Obama hodhi poshtë kritikat kundër marrëveshjes historike për programin bërthamor iranian, që po përballet me një kundërshtim të fortë në Kongres.
”Pa këtë marrëveshje ne do të rrezikonim të kishim një luftë tjetër në këtë rajon, më i paqëndrueshmi në botë”, deklaroi Obama në një fjalim të përjavshëm.
“Kjo marrëveshje e largon akoma më shumë Iranin nga bomba. Dhe ajo vendos për Iranin një ndalim të përhershëm të posedimit të armëve bërthamore”, shtoi ai.
“Ne do të kemi një mbikëqyrje të pazakontë, 24 orë në 7 ditë në javë, të qendrave kryesore të Iranit”, theksoi presidenti amerikan duke kujtuar se sanksionet ndërkombëtare kundër këtij vendi, që marrëveshja mundëson heqjen e tyre, do të rivendosen në rast dhune.
Parlamentarët amerikanë kanë 60 ditë, duke nisur nga depozitimi zyrtar i dokumenteve të negociuara në Vjenë, për miratim apo për hedhjen poshtë të marrëveshjes në një rezolutë.
Ndërkaq, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Hamenei, tha se marrëveshja nuk do të ndryshojë rolin e Iranit në Gjirin Arabik dhe në marrëdhëniet me SHBA.
“Republika islamike e Iranit nuk do të heqë dorë nga mbështetja për miqtë e saj në rajon, popujt e shtypur të Palestinës, Jemenit, popujt dhe qeveritë siriane dhe irakiane, popullin e shtypur të Bahreinit dhe luftëtarët në Liban dhe në Palestinë.”, theksoi lideri suprem në një fjalim public.
Irani dhe fuqitë e mëdha të grupit 5+1 (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Rusi, Kinë dhe Gjermani) arritën më 14 korrik një marrëveshje përfundimtare për çështjen bërthamore iraniane pas më shumë se 22 muajve negociatash intensive.
/tesheshi.com/