Barack Obama ndodhet në Gjermani për vizitën e tij të fundit zyrtare si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Raporti i tij me Angela Merkel është përcaktuar si një histori “dashurie me shikim të dytë” nga shtypi gjerman.
Sipas mediave, kjo histori ka kaluar në etapat dhe fazat e një progresi që i ka bashkuar gjithmonë e më shumë dy politikanët, të cilët fillimisht kanë qenë të largët dhe të ndryshëm në mendime.
“Një takim i cili u përcaktua si skeptik në fillim dhe që më pas kulmoi me deklaratën e Obamës ndaj Merkel si aleati i saj më i ngushtë”, – lexohet në sajtin e ARD, televizionit publik gjerman.
Gazeta gjermane Bild e hap faqen e parë me titullin: “Kancelarja do të humbasë më shumë se një mik të thjeshtë”.
“Nëse do të isha gjerman do të zgjidhja Angela Merkel”, – ka thënë në konferencën për shtyp Obama, i cili e ka përcaktuar Merkelin si një aleate të përkryer. Ai deklaroi në të përjavshmen Der Spiegel se “Angela ka besueshmëri të madhe dhe është e gatshme të luftojë për vlerat e saj. Gjermanët duhet ta vlerësojnë dhe unë e vlerësoj si partnere”.
Në darkën e shërbyer në nder të presidentit amerikan nga ana e kancelares kanë marrë pjesë eksponentë të skenës politike, sociale dhe kulturore gjermane, të cilët kanë shprehur dëshirën e veçantë për të forcuar më tej marrëdhëniet transatlantike./tesheshi.com/