Nëse Lestër Siti fiton Premier Ligën angleze pas pak javësh, kjo do të jetë sfida më e madhe e fituar ndaj futbolllit të milionave. Nuk do të jetë thjesht një trofe i ngritur nga duar futbollistësh, as një festë paksa e zgjatur, as një çudi më shumë, por ka për të qenë një mësim i madh se edhe pa shumë para, veçse me shumë zemër, me shumë kurajë, me shumë përkushtim, mund të triumfohet, në futboll e në jetë.
Tekniku italian ka folur për BBC-në tani kur duhen vetëm katër javë që gjithçka të mbyllet.
“Eshtë ky viti, o kurrë më!” Këtë mendim ndan Ranieri me gazetarin e BBC-së.
Ndërsa suksesi i Lestërit deri tani është përshkruar si një mrekulli futbolli, Ranieri thotë diçka tjetër. “Nuk është një mrekulli. Eshtë një moment i çuditshëm.”
“Kjo është diçka në rrethana të veçanta, e prandaj unë them, o tani o kurrë më, sepse sezoni tjetër do të jetë ndryshe. Ekipet e mëdha do të jenë më të fuqishme dhe më mirë, por, sigurisht, ne po bëjmë diçka të veçantë këtë sezon.”
Lestëri kryeson klasifikimin e kampionatit anglez, i ndjekur nga Totenhemi me pesë pikë më pak. Duhen vetëm katër javë për t’u shpallur fitues, vetëm tetë pikë mjaftojnë për suksesin.
“Ne siguruam Champions League-n, një arritje e madhe për çdokënd,” thotë Ranieri, “por tani përpiqemi të fitojmë titullin me të gjithë forcën tonë, me të gjithë zemrën tonë, shpirtin tonë, me gjithçka.”
Lestëri përballet pasditen e së dielës me Suonsi Sitin, kurse Totenhemi luan mbrëmjen e së hënës ndaj Uest Bromuiçit. /tesheshi.com/