New York Times ka publikuar një shkrim ku bën të ditur se studenti italian, Giulio Regeni, u vra në Egjipt nga shërbimet sekrete të gjeneralit El Sisi për të akuzuar më pas opozitarët e tij.
Agjencia italiane Ansa, citon NYT, që nga ana e saj i referohet burimeve në shërbimet sekrete amerikane dhe rangje të larta të qeverisë italiane.
Giulio Regeni, në shkurt të vitit 2016 u gjet i vdekur dhe i torturuar në një nga rrugët që lidh Kajron me zonat periferike. Regeni, një student nga Italia që po zhvillonte doktoraturën në Kambridge ishte në Egjipt pikërisht për tezën e tij të doktoraturës, mbi natyrën e sindikatave të pavarura në këtë vend.
Regjimi ushtarak i Kajros akuzoi pikërisht sindikatat si autorë të vrasjes, që sipas tyre ishte bërë për të marrë para si shkëmbim pengu.
Por autorët nuk u arrestuan nga policia, por u vranë 4 vetë, për të cilët ministria e Brendshme e Egjiptit tha se janë fajtorë të vrasjes së Regenit. /tesheshi.com/