Kemi dëgjuar shpesh herë që policia dhe zjarrfikësja, forcat e ndërhyrjes së shpejtë të bëjnë kilometra të tëra rruge për të shpëtuar një mace apo një qen. Përgjithësisht të tilla raste ndodhin në vendet perëndimore apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe njerëzit thuajse i kanë humbur shpresat që të shikojnë një zjarrfikëse duke shpëtuar një qen apo një mace në Tiranë, Prishtinë apo Shkup.
Mirëpo, asnjëherë gjërat nuk janë ashtu siç duken. Pak minuta më parë, në qendrën e Tiranës, në zonën e njohur si “Pizza”, një zjarrfikëse ka ardhur enkas për të shpëtuar një kotele, e cila kishte hipur në majë të një peme dhe nuk zbriste prej andej por vetëm mjaullinte.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00. Ishin disa fëmijë që gjatë një feste e kishin dëgjuar të qante macen e gjorë dhe me ndihmën e prindërve njoftuan zjarrfikësen. Kotelja nuk i përkiste askujt dhe ishte endacake.
Një dëshmitare okulare ka filmuar gjithë skenën dhe ka dërguar videot e mëposhtme pranë redaksisë së portalit tesheshi.com.