Ndër ato që mund të konsiderohen si “mistere” te personaliteti i kreut të opozitës shqiptare Lulzim Basha, është jo thjesht një e kaluar e tij e paqartë, mbi rolin që ka luajtur në post-luftën e Kosovës, por dhe ajo që ka ta bëjë e aspekte të inteligjencës së tij, sidomos asaj politike. Jo thjesht në lëvizjet në “tabelën e shahut”, të cilat janë plot pikëpyetje në aftësinë për të luajtur bukur gurët, por dhe në artikulim, Basha ofron një mediokritet që as vitet jo të pakta në politikë, as rivaliteti me një balerin të fjalës si Rama, nuk ka mundur ta sforcojë deri në pikën e ofrimit të një ligjërimi elegant, e padyshim plot inteligjencë.
Jo vetëm në të folurën “pa letër”, por dhe në të shprehurit komod, atij që buron nga të shkruarit, e ka të vështirë e gati të pamundur të thotë gjëra të mençura. Një politikan klasi, klasi kur pretendon të marrë pushtetin, sepse një i tillë, së paku teorikisht duhet të ketë një prerje për të patur klas, duhet ta përcjellë këtë dhe te aftësia elokuente.
Por vëreni me kujdes së ç’shkruan në më të fundit status, nga ato të porcioneve të përditshme të luftës rudimentare politike, që ngjajnë të sajuara si me zorr, si një detyrim prej halli në përtacinë e përgjithshme, e jo siç diç që buron natyrshmërisht nga aftësia e lindur dhe e përpunuar politike, nga një pasion gjithashtu, e një vizion i qashtërt po ashtu.
“Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një qeveri që punon për ta. Një qeveri që nuk është e zënë me politikë…”, shkruan Basha. Pra, “një qeveri që nuk është e zënë me politikë”.
Ja ky është një mister, një mister që konsiston në atë që, këtë që shkruan e beson apo e aktron? Pra, e beson që ekziston një tezë politike ku “qeveria nuk duhet të merret me politikë”, apo e di që ky është një nonsens logjik në politikë, por që puna ia do, thënë ndryshe politika, që të shprehet kështu. Se fjala vjen, Basha ç’bën, nuk bën politikë? Po sigurisht që bën politikë, se mos bënte politikë, çfarë tjetër duhet të bënte duke qenë në politikë. Kështu është dhe me qeverinë; edhe ajo bën politikë në çdo lëvizje të saj. Sepse, qeverisja në vetëvete politikë është.
Kështu do shprehej Basha dhe në fillimet e krizës COVID e më vonë, duke thënë se ai nuk preferon të merret me politikë porse është i angazhuar vetëm për njerëzit(!!!). Po pse, angazhimi për njerëzit nuk është politikë? Ai nga ç’pozita e kërkon pushtetin, si politikan apo si murator? Edhe ajo që mund të kish zgjedhur t’i përgjigjej ftesës së qeverisë për bashkëpunim në kohë krize, sigurisht që lëvizje politike do qe në thelb, me përllogaritjet përkatëse për krijimin e një tjetër imazhi, tjetër prestigji politik, që në çastin e duhur përkthehet në besueshmëri në elektorat, e në finale në vota.
Ajo ku ndahet më pas kjo politikë, është lloji se si zgjedh ta luash atë, si zgjedh të performosh, si zgjedh të kesh sukses. Eshtë një politikë që ndahet mes primitives dhe modernes, elegancës dhe trashësisë, largpamësisë dhe dritëshkurtësisë, qëllimeve të larta e atyre të vockëla. Por është politikë, fund e krye, pasi s’ka se si të jetë tjetër! /tesheshi.com/