Nga Ylli Pata
As 24 orë pas inagurimit të “Shtëpisë së Gjetheve”, impakti i parë të bie ballit. Bileta e hyrjes është mjaft e kripur: 700 lekë të reja.
“Po në Francë e ke 20 euro”, të thotë një vajzë simpatike te recepsioni, që nuk lejon gazetarët pa marrë leje “atje lart”.
Muzeu, aq shumë i inicuar nga Edi Rama si një shtëpi kujtese për bëmat e shërbimit famëkeq shqiptar ka hapur dyert në mes të Tiranës në një shtëpi që dikur u ngrit si klinikë gjinekologjike por që përfundoi si ofiçina e nëntokës së spiunazhit shqiptar.
Aksiona më e njohur për shërbimin sekret është: “Asgjë nuk është ashtu siç duket”.
Pronari i vërtetë legal i “Shtëpisë me Gjethe” është doktori pogradecar Jani Basho, mjeku personal i Mbretit Zog, i cili e ia dha më pas për përdorim oficerëve të SIM-it Italian, duke vazhduar me Gestapon gjermane, Sigurimin e Shtetit, SHIK-un e Gazidedes, SHISH-in e Fatos Klosit, e deri tek Bahri Myftari që në vitin 2009 e mbylli shtëpinë dhe i transferoj plaçkat përballë Spitalit Psiqiatrik apo të famshmit “Pavioni numër 5”.
Si një rastësi e çcuditshme, por edhe njeriu më i rëndësishëm i “Shtëpisë me Gjethe” ish-kryeinxhinieri i saj Nesti Vako, është nga Pogradeci.
Ai ka qenë një teknik i radio-televizorëve në qytetin e tij të lindjes dhe ishte i njohur për shpikjet e tij, kanaçe të sofistikuara por edhe radiotrasmetues që kapnin kanale të fuqishme.
Bien në sy nga specialistët e Sigurimit që i dërgojnë një relacion Kadri Hazbiut, Ministrit të Brendshëm dhe njeriut që drejtoi më shumë armën e fortë të diktaturës së Hoxhës.
Relacioni ishte për ta qëruar Nestin të dënuar si armik të klasës. Por Kadri Hazbiu jep porosi që ta afronin dhe ta ndihmonin.
Dhe kështu u bë. Një drejtues i lartë i PPSH në Pogradec e thërret Nestin dhe i thotë se partia i çmon dijet e tij dhe do të donte që të përfundonte Universitetin për Elektronikë.
Dhe kështu ndodhi. Mjeshtri pogradecar mbaroi universitetin “natën” siç thotë ai pa shkëputje nga puna dhe dërgohet direkt tek “Gjethi”, siç quhej qendra teknologjike e Sigurimit të Shtetit.
Aty, Nesti u kthye në kryemjeshtrin që modifikoi e prodhoi me duart e tij çimkat “Made in Albania” të cilat u bënë të famshme në të gjithë botën.
Po, po nuk është fare ekzagjerim, siç tregon vetë Nesti për tesheshi.com, përgjuesit alla-shqiptarçe janë vlerësuar nga specialistët e CIA-s edhe pas vitit 1992 kur erdhën në SHIK si agjenci partnere.
“Në vitet 1997-1998, amerikanët përdorën teknologjinë e tyre për të trajtuar disa grupe terroriste, por ata ngecnin, s’u dilte zëri. Provuan çimkat tona dhe dolën me sukses”, thotë Nesti jo pa krenari për novatorizmin e tij teknologjik.
Ai ka ardhur në “Muzeun e Gjetheve” me të vëllanë e tij dhe gruan, si dhe nipin e vogël për t’i treguar se ku ka punuar për më shumë se 50 vjet.
“Po kush lejonte të hynte këtu. Asnjëri nuk futej, përveç drejtorit të Sigurimit të Shtetit, drejtorit të madh, asnjë oficer nuk lejohesh”, thotë Nesti i kthyer në cicëron që flet edhe për disa vizitorë pasi muzeu i sapohapur nuk ka rrëfyes dhe askush nuk e çan kokën se tashmë njerëzit kanë paguar 700 lekë për të parë këtë shtëpi të mistereve, që për hir të së vartetës është shumë i pasur. Në dhomën e parë majtas të katit të parë ndodhet edhe dokumenti i parë zyrtar që ka krijuar shërbimin sekret shqiptar që pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai mban natyrisht firmën e Enver Hoxhës.
Në dhomë ndodhet dhe fotoja e dr. Jani Bashos së bashku me Mbretin Zog, pasi ai ka qenë mjeku i parë privat i monarkut shqiptar.
Dhoma e dytë majtas është edhe më e frikshmja, ajo ka shërbyer si dhomë hetuesi gjatë kohës së tmerrshme të Koçi Xoxes, di edhe gjatë kohës kur vetë Koçi me njerëzit e tij u kapën dhe u dënuan si njerëz të UDB-së jugosllave.
Në një tabelë të zezë ndodhen të gjitha ose pjesa më e madhe e metodave të dhunës që përdorte Sigurimi i Shtetit ndaj njerëzve që “përpunonte”.
Pas dhomës së dytë, zhduken mjetet e dhunës dhe nis teknologjia.
Magnetofonë dhe mikrofonë, aparate fotografikë të fuqishëm me objektiv shumë të madh.“Nga këtu kap malin e Dajtit”, thotë Nesti.
Kamera por edhe regjistrues e amplifikatorë.
Aparatet bliheshin vetëm në Gjermaninë Perëndimore, nga ata që përdornin edhe shërbimi gjerman por edhe ai amerikan.
“Edhe sot ata përdorin këtë magnetofonë pasi kanë një cilësi të hatashme zëri me 4 pista dhe nuk të lënë kurrë”, thotë Nesti, duke treguar një nga një të gjtha pajisjet regjistruese dhe teknologjike.
Duke shpjeguar mekanizmin e regjistrimit të telefonatave apo përgjimit ambiental, ai tregon me mburrje se kanë arritur t’jua hedhin edhe shërbimeve më të fuqishme perëndimore.
“Ne me urdhër të prokurorit kishim vendosur çimka në muret e ambasadave. i vendosnim me aq mjeshtëri sa kur vinin shërbimet e huaja që të pastrojnë vendin nuk arrinin t’i dallonin edhe pse i hidhnin muret në tokë”, tregon kryeinxhinieri i Sigurimit të Shtetit, i cili merr dhe lëshon një nga një të gjitha llojet e mikrofonëve përgjues.
Ato e transmetonin zërin deri në 100 metra, nga ku merreshin nga pajisje të fuqishme radiotransmetuese, edhe ato të ndërtuara në laboratorët e Ministrisë së Brendshme, pra tek “Gjethja”.
Dhoma më interesante është ajo e turielave. Quhet kështu pasi ndodhen disa mjete shpuese apo trapanë siç i quajmë sot, që bënin vrimat në muret e banesave për të futur pajisjet përgjuese dhe transmetuese.
“Kemi arritur të bëjmë një frimë sa pip i vogël pijesh dhe në të kemi futur përgjuesin. Nuk është arritur të kuptohej fare nga banori i shtëpisë që kemi përgjuar”, thekson Nesti, duke treguar një album me foto ku ndodheshin mjetet dhe pajisjet e shumta që mbanin agjentët e shërbimit sekret shqiptar kur shkonin për mision.
Kur sheh ato të vijnë menjëherë në mendje imazhet e James Bond-it të nxjerrë nga pena e Jan Flamingut të famshëm.
Pallto që fsheh një makinë fotografik, apo llulë që është përgjues; deri dhe përkrenarja e Skënderbeut që arrin të thithë valë transmmetuese.
Dyshimi se këto mund të jenë vetëm legjenda urbane duket se vihet re edhe nga ish-kryeinxhinieri i “Gjethit” tani i dalë në pension.
I fton të pranishmit në katin e dytë ku ndodhen disa aparatura që duket se i përkasin romaneve fantastiko-shkencorë në Zhyl Vernit.
Nesti ndez njërën prej këtyre aparaturave dhe thotë: “Dëgjoni!”
Në altoparlant vjen zëri i pastër i njerëzve që ndodheshin në katin e parë. Me një cilësi perfekte.
Pak më tutje ndodhet një telefon me tastierë i viteve ‘80 të shekullit të shkuar. Ai i korrespondon një numër i Tiranës.
Nesti nxjerr celularin nga xhepi, një Nokia të vjetër të zezë dhe i bie numrit.
Sapo kërcet zilja fillon e punon një prej pajisjeve regjistruese me shirit, i cili ndal automatikisht sapo mbyllet telefoni.
“Kemi punuar me pasion, s’jemi marrë me politikë. Në vitin 1992 na hoqi Gazidede të gjithëve që ishin këtu, por më pas na morën më vonë. Erdha në vitin 1997 dhe amerikanët na vlerësuan shumë për profesionalizmin. Ika në vitin 2009 kur dola në pension por mua s’më interesojnë kush ikën e kush vjen”, thotë Nesti i cili pyet e pyet se kë nga ish-shefat e tij vlerëson më shumë nuk ka asnjë dyshim në përgjigjen e tij: “Padyshim Kadri Hazbiu, ai ishte njeri i mirë. E vranë barbarisht por ai nuk meritonte atë fund…/tesheshi.com/