Më shumë se 10 persona kanë humbur jetën pas përmbysjes së një anijeje që transportonte refugjatë përmes detit Egje, në brigjet e Mugla-s në jugperëndim të Turqisë.
Guvernatori I Mugla-s, Amir Cicek tha për median turke se incidenti ndodhi në brigjet e isullit turk Karaada në gjirin e Bodrumit ku një mjet lundrues 15 metër i gjatë, mbushur me refugjatë, u mbyt ndërsa udhëtonte drejt ishullit grek Kos.
Guvernatori tha se më shumë se 200 persona u nxorrën të gjallë nga Roja Bregdetare turke.
Destinacioni turistik i Bodrumit në Turqi është një nisje e preferuar për refugjatët që duan të arrijnë në Kos, pasi rruga konsiderohet të jetë mes më të shkurtërave që lidhin Azinë me territorin e Bashkimit Europian.
Në pesë muajt e parë të këtij viti, mbi 42 mijë njerëz arritën nga deti në Greqi, shumica e të cilëve janë refugjatë lufte e kjo sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara.
UNHCR thotë se më shumë se 300 mijë persona rrezikuan jetën duke kaluar Mesdheun këtë vit, ndërsa 2500 refugjatë u mbytën ose rezultojnë të zhdukur.
Incidentet në këtë pjesë të detit Egje kanë qenë të shumta gjatë ditëve të fundit, ku kanë humbur jetën me dhjetëra njerëz, shumë prej të cilëve fëmijë.
Mëngjesin e së dielës, 34 persona u mbytën pasi anija që i transportonte ilegalisht u fundos në detin Egje. /tesheshi.com/