Në një shkrim në Mapo, Henri Çili ka rrëzuar teorinë sipas së cilës libri i fundit i Ben Blushit, Kandidati, nuk rreket të godet persona konkretë, pasi është thjesht një roman fiction. Vetë emri i tij, Henri, është në roman, por ai thotë se nuk e ka me të. Sipas Çilit, më shumë kemi të bëjmë me standartin artistik “çdo përkim me ngjarje apo personale realë, është i rastësishëm”; dhe se romani i Blushit nuk ka pse gjykohet me standartin tjetër, atë të Realizmit Socialist, të tipit “çka dashur të thotë autori?”. Ai është fiction dhe le të lexohet si fiction. Ky është qëndrimi përfundimtar i Henri Çilit.
Por Çili në qasjen e tij nuk merr fare në konsideratë deduksionin, i cili pashmangshmërisht është në ndjekje të gjurmëve në një vepër artistike për të të shpënë diku, atje ku ka dashur të qëllojë subjekti i veprës, në mos në persona realë, në fenomene patjetër; që gjithsesi nuk mund të jenë aq abstrakt kur është fjala për realitete të ngushta, siç është ai politiko-social shqiptar që pikëlidhen lehtësisht me persona realë.
Çilit po i ofrojmë një model të ngjashëm, një tekst publicistiko-letrar të Edi Ramës shkruar vite me parë, që ka në qendër një personazh, emri i të cilit, pa mbiemër, thirret në trajtën e vet shkurtuese. Edhe pse nuk artikulohet plotësisht, nuk është hiç e vështirë të merret me mend, jo vetëm personi i fshikulluar, por dhe vepra e tij së bashku me një akt të caktuar politik.
Teksti:
“Teoja vinte në politikën korrente pas një rruge plotë zigzage dhe kthesash të zhdërvjellëta që ia kishin zbardhur krejt kokën dhe ia kishin bërë flokun fare indiferent ndaj kënasë. Vështrim i papërcaktueshëm, lëkurë teritali gri, fëshfëshe e bardhë e veshur disa javë pas triumfit të Revolucionit të Pardesyve të Bardha, rryp i shtrënguar përherë në vrimën e fundit, përreth shtatit të gjatë e të imët, diplomë agronomi në xhep, disa karriera paralele që gjarpërojnë nga arat me grurë, depot e drithit, ushqimi i foragjerëve, buka e prodhuar në vend, tek rreshtat e një letërsie të përndezur nga betejat e ashpra klasore të Njeriut të Ri, libra të tërë të populluar me sekretarë zemërgjerë partie, me kuadro plot të meta të rritjes, me kulakë cmirëzinj, me qivurebërës që këndojnë me kitarë dhe kufoma qensh të ngordhur e të varosur pa qivur bashkë me arin e klasave të përmbysura nga pushteti popullor, skenarë të njëqindmijë e një ditëve plot diell të Realizmit Socilist, hop cilësor në karrigen e funksionarit në Kinostudio e prej aty hop edhe një herë në skenën politike, pamje e shkëlqyer çdo mëngjes me lustrabojën demagogjike të modës më të fundit, debutim modest si manekin në sfilatën e Ramiz Alisë me rastin e zgjedhjeve të para pluraliste për të arritur kulmin me ngjitjen në katin sipëran të ish-Komitetit Qendror, si marionetë që duhet të luajë rolin e ministrit të Kulturës në teatrin e kukullave të Sali Berishës, dhe së fundi peng tragjik i një grupi të marrësh as të gjallë e as të vdekur. E vetmja gjë e pandryshuar në këtë kalvar të gjatë: Ecja sipas stilit “ka ngrënë okllainë”.
E ç’është fati i njeriut?! Një hije që e tërheq prej hunde dhe nuk rreshtet së talluri me frikën e tij nga uria, nga të ftohtët, nga pagjumësia, nga mospërfillja, nga mbetja jashtë lojës së përtëritjes së shëndetshme të species, një hije që nuk kënaqet duke e shikuar njerinë e gjorë të gënjejë për një copë bukë e të përulet për një barrë që ta mbrojë nga të ftohtët, të gjunjëzohet për një shtrat të ngrohtë, të tradhtojë këdoqoftë e çfarëdo qoftë për t’u sjellë në qendër të vëmendjes e për t’i pasur me bollëk të gjitha sa pak më lart, e në fund të fundit të kyçet në korracën e bindjes iluzive se gjithçka e bën që fëmijëve të mos iu mungojë kurrgjë, ose-ose, ca më keq akoma, që kombit të mos i mungojë shërbimi, një hije që, e bezdisur nga përpjekjet e përditshme tragjikomike të njeriut për dinjitet, e bën fare rreckë qenien e pambrojtur njerëzore duke e detyruar me një lehtësi të çuditshme të marrë kthesa aq të forta, a thua se është telekomanduar prej kush e di se çfarë distance qiellore, ku, në lidhje direkte me fatet e globit mikroskopik të jetës tokësore, ndërrohen vazhdimisht rregullat e lojës në planetin tonë.
Si t’ua shpjegojë i gjori ministër personazheve të tij hakmarrëse se edhe ai është një viktimë në favor të të tretit, të të tretit të gjithëpushtetshëm, të hijes që e tërheq nga hunda në rrugën plot zigzage, e për më shumë ku t’i gjejë fjalët e duhura me të cilat t’i bindi ato krijesa të gjymtuara nga deliri i një bote të re të barabartësh se edhe vetë të tretët nuk janë të barabartë mes tyre, se hija e fatit të gjithsecilit ka hijen e fatit të vet dhe se bota është e lidhur e tëra në një hierarki hijesh? Ku ta gjejë paskëtaj njeriu i shkretë fuqinë për ta marrë në sy rrezikun e mosshkuarjes pas hijes së fatit të tij duke u bërë hije e vetvetes, ku? Çfarë do të ishte sot i pafajshmi Teo sikur të mos kishte ngritur në këmbë gjithë atë batare njerëzish e lopësh dhe të mos e kishte nisur për në Komitetin Qendror, që atje ata të trokisnin e të mungëllinin dyerve për ta bindur partinë se Dhori ishte i nevojshëm në Tiranë, në ballë, kudo që t’i duhej asaj për të imponuar zërin e klasës, qoftë edhe si kandidat për deputet i organizatës fantazëm të Frontit Demokratik? Po se mos ishte puna thjesht te Fronti dhe se mos nuk e dinte Teua që Fronti ishte një fantazëm, puna ishte që hija e fatit të tij iu shfaq në formën e Frontit dhe e mori me vete nëpër ara, në mënyrë që në fushatën e parë për zgjedhje të lira në Shqipëri, me një megafon nga ata të shesheve të xhirimit të filmave të Realizmit Socialist, ai t’u fliste shqiptarëve për të shtrënguar radhët rreth mëkëmbësit të Hoxhës së Vdekur! Papritur e pa kujtuar, në atë Shtabin Qiellor të Fateve Tokësore u shtyp një sustë dhe hija e Frontit u shndërrua në hije të idealit Socialdemokrat. E ndoqi Teua, se mos kishte zgjidhje tjetër në fund të fundit, e ndoqi, dhe si gjithmonë nëpër ara, për shëndetin e bereqetin e fshatarit kishte luftuar përherë agronomi shkrimtar dhe ajo hije nuk po e merrte shumë nëpër këmbë dinjitetin e tij, por ja që në mes të një are të madhe me drithë ideali Socialdemokrat u bë avull, e një kolltuk i veshur me damask nga të Kombinatit ‘Mao Ce Dun’ u shfaq e qëndroi hijerëndë në mes të arës.
Pse kush ishte ai që t’i rrinte përballë gurmaztharë asaj hijeje dhe të mos luante vendit, a thua se nuk kishte rendur tërë jetën për të shkruar biografinë e Njeriut të Ri vetëm e vetëm që ta shihte me sy të mirë hija e damaskut që tani i ishte shfaqur e ia bënte me sy? Pastaj se mos e pyeti hija Teon, e zuri nga rripi i shtrënguar në vrimën e fundit si të ishte pupël pa kurrfarë gravitacioni, a taban si i thonë, dhe e ngriti peshë prej arave të drithit socialdemokrat drejt e në luadhin e qeverisë. Ministër për Kulturë në kërthizën e botës, e mjaft më kujdestar lopësh të uritura e qensh të ngordhur të diktaturës barbare.”
E pra, për kë bëhet fjalë?! Dhe a mund të thotë Henri që nuk bëhet fjalë për Teodor Laçon, për filmin Përballimi me skenar të tij, si dhe për çastin kur për hir të mbajtjes së postit të ministrit të Kulturës, Laço vendosi të përkrahte Berishën gjatë referendumit të Kushtetutës së vitit `94, duke u ndarë me Skënder Gjinushin, pra PSD-në?
Diferenca mes gjinive, letërsi dhe publicistikë, nuk besohet të luajë shumë rol në këtë rast.
/tesheshi.com/