Shtetasi i Maqedonisë së Veriut me prejardhje palestineze, Mohammad Skaik, ka deklaruar se shpresa e palestinezëve se lufta do të ndalet është pakësuar, por se “asnjëherë nuk do t’i braktisin” tokat e tyre.
Në një bisedë me gazetarin e Anadolu-t, Skaik vlerësoi ngjarjet e 7 tetorit dhe atë që ndodhi më pas në Gaza, evakuimin e tij me familjen nga Gaza dhe jetën e tyre në Shkup.
Historia e tij me Maqedoninë e Veriut ndërlidhet në vitin 1989 kur kishte filluar studimet Stomatologji në Universitetin Shën Kiril dhe Metodi në Shkup. Skaik shpjegon se gjatë Intifadës së Parë në Palestinë një periudhë ka ndërprerë shkollimin e tij.
Më pas, Skaik tregoi se është kthyer në Shkup, por gjatë kësaj periudhe ka humbur shtetësinë palestineze, duke shtuar se e kanë fshirë edhe nga regjistrat, kurse ai posedon prova deri në ditën e sotme.
Skaik është kthyer në vitin 2013 në Gaza, ku ai e ka ushtruar detyrën e stomatologut në një qendër shëndetësie, duke e vizituar edhe Maqedoninë e Veriut herë pas here.
Kur filluan sulmet e Izraelit pas ngjarjeve të 7 tetorit, Skaik tha se jeta u ndryshua në një mënyrë që nuk mund të shpjegohet me fjalë.
“Nuk kishte jetë, thjesht nuk kishte jetë. Nuk mund të përshkruhet. Atë vetëm dikush mund ta përjetojë. Ka disa gjëra që thjesht nuk mund t’i shprehësh me fjalë. Ju thjesht mund t’i ndjeni ato”, tha Skaik.
“Pse po ndodh kjo, pse ne llogaritemi fajtorë. Çfarë kemi bërë? Ne duam lirinë tonë, jetën tonë. Duam të jetojmë si të gjitha kombet e tjera që jetojnë”, pyeti ai, duke u shprehur se nuk kupton pse kanë ndodhur të gjithë këto në një vit të fundit.
Ditën kur kanë filluar sulmet e Izraelit, shpjegon më tej Skaik, vajza e tij është dashur të shkojë në shkollë, por për shkak të një vonese ajo nuk ka dalë më herët nga shtëpia dhe kjo vonesë ndoshta ia ka shpëtuar jetën.
Evakuimi i Mohammad-it bashkë me familjen nga Gaza
Duke treguar për rrjedhën e ngjarjeve të evakuimit të tyre nga Gaza, Skaik tha se deri sa ka ardhur koha për t’u evakuuar shpesh herë kanë ndryshuar vendin e qëndrimit dhe gjatë kësaj kohe kanë dëshmuar shumë shpërthime duke u shpëtuar disa herë nga vdekja.
Dy javë pas sulmeve, ai ka telefonuar Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Kajro. Ai tregon se nga ambasada u kanë kushtuar vëmendje gjatë procesit të evakuimit.
Skaik tha se pasi kanë siguruar edhe vizë për bashkëshorten e tij, që nuk është shtetase e Maqedonisë së Veriut, ka filluar procesi i evakuimit.
“Evakuimi u bë pas një muaji. Pra, ne qëndruam atje për gati një muaj e një javë në atë turmë”, shtoi ai.
Më pas, kurrë kanë mbërritur në Shkup, Skaik thekson se autoritet i kanë vendosur bashkë me familjen e tij në një lokacion të quajtur “Safety House” (Shtëpi e Sigurt), ku kanë qëndruar deri në muajin prill të këtij viti.
“Do t’u jem mirënjohës përgjegjësve të shkollës Maarif”
Skaik fillimisht nuk ka gjetur punë, por me kalimin e kohës me ndihmën e disa shokëve që i njeh prej më parë është punësuar në Kryqin e Kuq, respektivisht në kufirin e vendit me Serbinë, në Tabanocë, ku merret kryesisht me emigrantët.
“Sepse e di gjuhën arabe. Arsyeja për të është se janë arabë, nga Siria, Iraku, ka shumë nga Algjeria, Maroku, Egjipti. Kështu që unë thjesht përkthej dhe në të njëjtën kohë jap kujdesin parësor shëndetësor“, tha ai.
Në fillim kur kanë ardhur në Maqedoninë e Veriut, tregon Skaik, fëmijët e tij nuk e kanë njohur gjuhën maqedonase dhe nuk ka ditur se si do të përshtaten me mjedisin.
Duke treguar se me ndihmën e një shoku, ka arritur me bursë t’i regjistrojë fëmijët në shkollat e Fondacionit Turk Maarif në Shkup, Skaik tha: “Dhe në të vërtetë, përgjegjësit e shkollës Maarif, që mu gjendën mua, kjo ishte diçka për të cilën do t’u jem mirënjohës deri në fund”.
“Nuk do ta lëmë kurrë atë tokë për ta”
Ai foli edhe për familjen e afërm të tij të cilët me fillimin e sulmeve të Izraelit janë larguar nga Gaza duke shkuar në Egjipt. Ai foli edhe për situatën e tyre, duke theksuar se nga familja e afërm nuk ka të vdekur, por se nga anëtarët e familjarëve më të largët kanë pasur të vdekur.
Ai tha se gjithashtu edhe shumë kolegë të tij mjekë me familjet e tyre nga Gaza kanë humbur jetën nga sulmet e Izraelit.
“Nuk mund ta besoj, gjatë gjithë kohës mendoj se është si një ëndërr. Unë ende nuk mund ta kuptoj se kjo ka ndodhur. Mendoj se është një ëndërr. Do të ngrihem dhe gjithçka do të kthehet siç ishte, me të vërtetë. Por ky është realiteti. Në fillim, për shkak të madhësisë së punës, tronditjes, ndonjëherë njeriu nuk dëshiron ta besojë. Ai ndërton një mur mbrojtës në psikikën e tij për të mbrojtur veten“, shpjegon Skaik tronditjen e përjetuar pas lajmit që ka marrë për vdekjen e njerëzve që njeh.
Duke theksuar se një vit që kaloi nga 7 tetori i kaluar për ta duket sikur një shekull, Skaik shprehet se, “Shpresa e njerëzve se do të ndalet ka filluar të pakësohet, por ne nuk do ta lëmë kurrë atë tokë për ta”. /AA/