Kjo është historia e pabesueshme e një motori pa moshë, por edhe e një 62-vjeçari që i përket racës në zhdukje të atyre mjeshtrave të pazakontë që mund t’ua besosh një punë symbyllur.
Motori që shihni në foto është prodhuar nga industria gjermane që mbështeste ushtrinë me mjete gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ky motor e ka nisur rrotullimën e parë në fillim të viteve ’40 në ndihmë të ushtrisë naziste. Ai ka shërbyer deri në falimentimin dhe tërheqjen e ushtrisë së Hitlerit nga Ballkani.
Ishte një nga rreth dy mijë mjetet që gjermanët lanë në tërheqje e sipër në malet midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Këto mjete u mblodhën nga shteti grek pas mbarimit të Luftës dhe u shitën me ankand.
Motori “nazist” në fjalë që asokohe ka patur disa vite jetë rinisi punën në një ndërmarrje private greke dhe punoi pa u ndalur asnjë ditë nga 1944 deri në 1995.
Në vitin 1995, një mjeshtër saldimi nga Mesopotami i Sarandës, Pandeli Thanasi e blen nga kolegu grek që e përdorte prej rreth gjysëm shekulli.
Mjeshtër Pandua që ka emër të madh në zonën e bregdetit të jugut për punimet dhe merakun në projektet që merr përsipër, vazhdoi të punonte me të njëjtin motor të instaluar në një gjenerator të vjetër për të prodhuar energji në zonat ku kryhen punime saldimi por që ende nuk është lidhur energjia elektrike.
Pandeli Thanasi tregon se kur e bleu motorin u step fillimisht nga mosha e tij: “Doja të blija një motor të ri. Por greku që e kishte më tha, merr këtë se nuk ka asnjë motor të ri që do punojë si ky”.
Kanë kaluar thuajse 30 vjet të tjerë që usta Pando vazhdon të punojë përditë me “motorin e Hitlerit”.
Fotografitë e mëposhtme u bënë gjatë zbatimit të një projekti të mjeshtër Pandos në një zonë piktoreske të bregdetit midis Himarës dhe Sarandës.
Vitet në luftë, plus 50 vitet me ustain grek plus 30 vitet me Pandon, ky motor po i afrohet të 90-ve dhe duket në formën e tij më të mirë.
“Është fare i thjeshtë dhe harxhon fare pak naftë”, thotë Pandeli Thanasi ndërsa zhurma ritmike e “ushtarit gjerman” të ndryshkur nga jashtë por flakë nga brenda, na shoqëron në çdo sekondë. /DITA/