Një ekip i specializuar i FBI-së amerikane do të asistojë MInistrine e brendshme dhe Prokurorinë Shqiptare për të hetuar mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar. Siç mësohet, një grup specialistësh do të gjurmojnë në bankat shqiptare dhe ato të botës për të gjetur paratë e fituara në mënyrë të paligjshme.
Siç njofton MPB, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është takuar sot me Zv.Ndihmës Drejtorin J. Chris Warrener dhe Zv.Ndihmës Drejtorin Brian McCauley të FBI, me të cilët ka diskutuar lidhur me forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit.
Takimi i sotëm vjen pas vizitës të Ministrit Tahiri në SHBA dhe takimeve që zhvilloi me Zv.Drejtorin e FBI, Mark Guliano. Që nga dita e sotme ka nisur puna konkrete e përbashkët ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit me ekspertët e FBI për ngritjen e plotë dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
BKH do të shënojë një standart të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Drejtuesit e FBI theksuan mbështetjen për punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në angazhimin kundër çdo lloj paligjshmërie dhe forcimit të shtetit të së drejtës në vend.
(tesheshi.com)