Ndonëse gjindet në shtatëdhjetat e tij, ai ende vazhdon t’i kontribuojë folklorit shqiptar në Maqedoni. Bëhet fjalë për Tahir Seferin i lindur në vitin 1944 në Shqipëri, por që kishte migruar në Dibër të Madhe e më pas për t’u shpërngulur në Shkup së bashku me të parët e tij që në moshën 5-vjeçare. Për të, kënga dhe instrumenti i qiftelisë përbëjnë simbolin kombëtar shqipëtar, apo siç thotë ai “janë jeta ime”. I dashuruar pas muzikës së mirëfilltë shqipe, dhe për dallim nga gjithë rapsodët e trojeve shqiptare, Tahir Seferi shquhet si më autentiku që ka njohur folklori shqiptar ndonjëherë. Pra ai vet shkruan, vet i bie qiftelisë dhe vet këndon.
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Tahir Seferi, një emër i njohur i folklorit shqiptar në Maqedoni e më gjërë. Qe sa kohë i këndoni këtij stili të muzikës?
Me muzikë paraprakisht, me këngë mirrem që në fëmijëri kurse më vonë fillova dhe të ushtroj instrumentin shqiptar, qiftelinë. Më pas, në vitin1960 për herë të parë dola në skenë publikisht, me ç’rast filluan të më njohin shoqëria dhe shokët si këngëtar me stil të vetin. Dua të them që 55 vite mirrem me muzikë folklorike dhe kam një stil të veqantë të të kënduarit dhe qiftelisë; jam orgjinal ai që jam dhe nuk kam ndryshuar aspak gjatë karrierës time. Nuk imitoj askënd pos vetes dhe Sefer Tahirin e njohin të gjithë si rapsod që krijon e interpreton, por që nuk imiton të tjerët. Kur këndoj këngën e përjetoj, me një fjalë jam në brendinë e këngës.
Si keni arritur të mbani kontinuitet aq gjatë, të ngeleni në skenën e muzikës së mirëfilltë shqipe?
Në fillim kam qenë anëtar i AKV “Emin Duraku” në Shkup prej 1967 -1977, tani në AKV “Ibe Palikuqi” – Shkup që nga viti 1978 e deri më sot. Krejt falë shoqërisë, shokëve dhe dashamirëve të muzikës folklorike jam aty ku jam gjithnjë i palodhshëm. Kënga dhe qiftelija janë krejt jeta ime, e dua këngën e mirëfilltë shqipe. Kam këndu dhe këndoj këngët popullore dhe këngët e vjetra qytetare, por folklorin e kam në gjak dhe në trashëgimin familjare.
Cilat janë sukseset e juaja, pjesëmarrjet në festivale etj?
Kur flasim për sukseset e mia në karrierën muzikore, ato janë të shumta si në vend ashtu dhe jashtë vendit në Shqipëri, Turqi, Kosovë, Europë dhe Amerikë. Koncerte, manifestime apo festivale janë të shumta, por do mundohem t’ju përgjigjem me pak fjalë. Për 55 vite ,në skenën muzikore folklorike kam marrë pjesë diku ma shumë se 70 festivale kombëtare dhe ndërkombtare, ku jam dekoruar me çmim të parë mbi 50 herë. Shumicën e këngëve i shkruaj dhe i përcjelli vet.
Mund të veçoni ndonjë nga këngët rapsodike dhe pse?
Do veqoja një këngë të cilën e shkruajta prapa skenës dhe e këndova pas 15 minutash që jurinë dhe publikun i la pa fjalë, andaj me këtë këngë fitova vendin e parë, ishte kënga për dëshmorin e kombit , Njazi Azemi – “Komandant Mjekra “
Me këngët dhe stilin e ri të të kënduarit a mund të bëni dallimin e tradicionales dhe bashkëkohores në folklorin muzikor shqiptar?
Sipas meje, nuk duhet të ketë dallim mes tradicionales dhe bashkëkohores në folklorin muzikor shqiptar, varësisht nga stilet e ndryshme të këndimit apo dedikimit të këngëve, ngaqë tradicionalja nuk e duron bashkëkohoren sepse nuk mundet me pas folkor bashkëkohor, folklori është një. /tesheshi.com/