Pas një pritjeje me të gjitha nderimet shtetërore në nisje të vizitës në Tiranë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga zhvilloi bisedime me presidentin Bujar Nishani me të cilin dha edhe një konferencë të përbashkët shtypi. Jahjaga e cilësoi vizitën si hap për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa presidenti Nishani tha se Kosova gëzon tashmë një status të ri e plotësisht të merituar në rajon.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po jep një kontribut të qenësishëm në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal dhe praktikat e respektimit të pakicave kombëtare në Kosovë, që duhet të merren si shembull nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit”, tha Nishani. Ai shtoi se Shqipëria e mbështet në vijimësi procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, pasi mendon se të dyja vendet janë në pozicione të barabarta.
“Kosova ka përpara sfida si çdo njëri prej vendeve të rajonit. Shqipëria e mirëpriti dhe mbështeti vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale duke vlerësuar se marrja e këtij vendimi ishte i vështirë, por e duhura pasi vetëm kështu mund të hidhen poshtë të gjitha pretendimet e ngritura”, nënvizoi presidenti Nishani.
Ai vuri në dukje se asgjë dhe askush nuk e tjetërson dot luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të saj në përballje me agresionin dhe genocidin serb./tesheshi.com/