Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, doli këtë të mërkurë në një konferencë për mediat për të folur rreth ngjarjes së rëndë në Pogradec, ku 42-vjeçari Egli Proga u rrah brutalisht deri sa humbi jetën, nga i riu me profil kriminal, Denis Mece.
Rrumbullaku tha se Policia nuk ka tenuar të fshehë ngjarjen.
“Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja është i pabazë dhe me asnjë provë apo fakt konkret. Në asnjë moment dhe asnjë rrethanë, asnjë punonjës i policisë nuk ka tentuar të fshijë apo të minimizojë ngjarjen e rëndë. Policia ka shkuar menjëherë në ngjarje, janë sekuestruar kamerat, janë shoqëruar disa persona që ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes, janë kryer të gjitha veprimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes. U identifikua dhe u arrestua autori së bashku me tre shtetas të tjerë të cilët akuzohen për moskallëzim krimi. Baltosja e Policisë së shtetit është jo vetëm e pabazuar por edhe e dënueshme ligjërisht e moralisht. Policia e shtetit do të marrë hapa ligjor për dezinformimin e kësaj ngjarje”,tha Kryepolici shqiptar, pa sqaruar se përse Policia tha fillimisht se viktima ishte rrëzuar, ndaj dhe kishte ndërruar jetë.
Rrumbullaku tha gjithashtu për mediat se ngjarja në Pogradec nuk ka të bëjë me gjobvënien, por me një konflikt të çastit.
“Ju siguroj që siguria është në të njëjtat parametra si në metropolin shqiptar, në qytetet bregdetare dhe ato liqenore si Pogradeci. Në këtë rast kemi të bëjmë me një rast fatkeq ku viktima dhe autori nuk kanë asnjë njohje dhe nuk ka të bëjë fare me të gjithë lajmet e rreme që qarkullojnë në media sa i takon lajmeve që kanë të bëjnë me gjobvënie”.