Nëse pas pak vitesh, një student i universiteteve shqiptare apo më gjerë, kërkon të mësojë se çfarë ka ndodhur më 8 korrik 2015, kur Tiranën e vizitoi për të parën herë zyrtarisht Kancelari i Gjermanisë, do të gjejë në arkivat e medias shqiptare vetëm polemika dhe sherre për veshjen e Angela Merkelit, të qeshurat e Edi Ramës dhe pyetjet e gazetarëve në Konferencë. Po çfarë u arrit, cilat janë rrjedhimet e një zhvillimi politik të nivelit të lartë? Si gjithmonë do të presim se çfarë do të na thonë të huajt, siç ndodhi me librin që u shkrua në SHBA mbi aferën e tmerrshme të “Gërdecit”, ku u mashtrua Departamenti i Shtetit gjatë një kontrate mbi furnizim municioni, ku të implikuar janë zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar.
Ka dy ditë që mediat botojnë librin e gazetarit amerikan të New York Times-it mbi të gjithë dramën e Gërdecit, e cila gjëmoi në Tiranë 7 vjet më parë.
E njëjta gjë bëhet edhe për historinë e Luftës së Dytë, për komunizmin, madje edhe për Skënderbeun, ku presim mendimet e historianëve të huaj.
Po vërtetë xhanëm, çfarë u arrit nga vizita e zonjës Merkel në Tiranë, përtej tapeteve, eskortave dhe batutave e shakarave me kripë dhe sheqer apo me piper?!
Kancelarja Merkel, foli aq qartë në konferencën për shtyp dhe fjalimin para bizneseve, sa mjaftonte të mbahej shënim mirë, të hidhej në kompjuter dhe më pas të botohej.
Zonja Merkel tha: 1. Nuk japim azil por kërkojmë punonjës të kualifikuar dhe Shqipëria është vend potencial në tërheqjen e kësaj force punëtore. 2. Nëse bëni reformën në drejtësi, do të themi “PO” për hapjen e negociatave në BE (nëse Berlini thotë vërtetë “PO” atëherë jemi të pranuar). 3. Ne do të mbështesim projektin e koridorit Adriatiko Jonian, pra Autostradën Shkodër-Sarandë, e cila lidhet në Jug me Greqinë dhe Veri me Malin e Zi. 4. Duhet të keni marrëdhënie të mira në rajon.
Ndërkaq gjatë takimit me biznesin gjerman, fjalimi i kancelares Gjermane ishte edhe më i rëndësishëm. Ajo tha tekstualisht: Në Shqipëri, Gjermania është e përqëndruar në Aeroportin e Rinasit, në telefoni të lëvizshme, industrinë tekstile dhe të tjera.
Le ta zbërthejmë: TIA, një konsorcium me shumicë gjermane menaxhon aeroportin “Nënë Tereza” në bazë të një koncensioni që sipas të gjitha gjasave do të rinovohet. AMC operatori i dytë i telefonisë së lëvizshme në vend, nga 20 korriku bëhet T-com, pra pjesë e gjigandit gjerman që është në ekspansion në të gjithë Ballkanin. Ndërkaq, për industrinë tekstile ka një enigmë, pasi industritë fasone kontrollohen kryesisht nga italianët dhe grekët.
Ndërkaq deklarata e zonjës Merkel, e cila e renditi si prioritetin e tretë, tregon për një synim që ka baza të fuqishme dhe mundësi për një ekspansion të biznesit gjerman. Dhe në fakt shenja ka prej kohësh: kompani të mëdha gjermane të prodhimit të veshjeve si Triumph, kanë sjellë porositë e tyre për fasonët shqiptarë duke ofruar çmime më të larta dhe korrektësi precize pagesash, plus lehtësira të tjera.
Që do të thotë rroga më të mira për punonjësit të keq-paguar të sektorit tekstil. Pa harruar këtu edhe energjinë, ku gjermanët sipas të gjitha gjasave do të kontrollojnë operatorin e shpërndarjes së energjisë, ku prova gjenerale u dha me projektin pilot të matësave inteligjentë që janë sjellë nga një kompani e madhe gjermane.
Ndërkaq, fare pranë Rinasit është ndërtuar një mini-qytet gjerman që ofron shërbime për biznesin e bashkëqytetarëve të tyre në Shqipëri. Një model i përhapur kudo në Europë e botë. Tirana Biznes Park do të ofrojë hoteleri, zyra, facilitete logjistike, avokati, ushqim etj, etj për komunitetin e biznesit gjerman sipas standardit të tyre. Që do të thotë, janë investuar shifra marramendëse, duke qenë të sigurtë se paratë do tu kthehen mbrapsht, duke pasur klientë një numër të madh sipërmarrësish dhe operatorësh të kompanive apo kontraktorëve nga Gjermania, që janë, apo do të vijnë në Shqipëri.
Zonja Merkel vërtetë nuk përmendi ndonjë shumë konkrete, por një gazetë shumë e njohur gjermane, “Landeszeitung” shkon mjaft larg në parashikimin e saj.
“Po qe se Europa do të ketë siguri të vërtetë në hapësirën e saj, duhet të veprojë në mënyrë strategjike si SHBA pas Luftës së Dytë Botërore dhe të eksportojë mirëqenie përmes një Plani Marshall”, theksonte kjo gazetë duke sjellë një perceptim që dukshëm po diskutohet në Berlin dhe pritet që t’i duken kornizat në samitin e gushtit në Vjenë, i cili është vazhdim i samitit që u mbajt në Berlin një vit më parë.
Po mirë, pse nuk i diskutojmë ne këto, por merremi me ornamentet? Apo kështu e do publiku?
Në fakt publiku kërkon që media të parashikojë dhe jo të fantazojë. Nëse e mbani mend në vitin 2012, asnjë nga big-analistët nuk e parashikoi largimin e Metës nga koalicioni me Berishën dhe bashkimin me Ramën. Madje çdo raportim mediatik nga burime të pavarura u cilësua teori konsiracioni.
Dhe kulmi ishte në studion e Fevziut, kur ai pyeti Metën po si ka mundësi që ju u bashkuat dhe ne s’e dinim? Kreu i LSI u përgjigj qetë: Po unë ua kam thënë 100 herë por ju s’më dëgjuat, thatë jo nuk është ashtu. Dhe unë ju lash në tuajën sepse s’mund tua mbushja mendjen!
Dhe pastaj themi pse nuk dimë asgjë për historinë…/tesheshi.com/