Berat Buzhala thotë se nuk është një prej budallave që janë peshku nga Edi Rama në Kosovë, kur bëri deklaratën në Beograd, apo edhe kur ishte në kryeqytetin e Kosovës për të inaguruar shtatoren e Ismail Qemal Vlorës, prijësit të shtetit të shqiptarëve.
Në një shkrim të botuar në lapsi.al, Buzhala thekson që Edi Rama ka aktruar në Beograd së bashku me Aleksandër Vuçiçin, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe në siç thotë ai “të ashtuquajturin” samit të Tiranës, por Rama paska nëpërkëmbur simbolet e Kosovës së pavarur në mes të Prishtinës duke folur për Ismail Qemalin dhe sërish sipas Beratit, po Rama po bën pazare të rrezikshme me siç thotë ai “kasapin e Kosovës”, Aleksandër Vuçiçin, për Gjykatën Speciale dhe për autostradën Serbi- Shqipëri, ku nuk përfshihet Kosova (a thua se kjo autostradë do të kalojë nga ajri nëse nuk kalon në Kosovë?).
Nejse, mendime të lira në hapësira të lira normalisht, që falë Zotit secili i shpreh siç i mendon.
Por problem nuk është hiç se sulmon Ramën, pasi kjo nuk ka kurrfarë lidhje dhe problem. Kleçka këtu është tek i ashtuquajturi fenomen që Berati, Halili dhe pak të tjerë marrin përsipër të thonë se ata janë Kosova dhe u drejtohen politikanëve, sportistëve apo artistëve nga Shqipëria se si duhet të sillen dhe çfarë të bëjnë me Kosovën dhe për Kosovën.
Dhe këtu nuk është puna të mbrosh Edi Ramën (dhe nëse e bën sërish nuk ka asnjë problem), por kryeministri i Shqipërisë, edhe pse mund të ketë aktruar apo performuar, tha publikisht, gjatë vizitës së parë të një rangu të tij në Beograd, se Serbia duhet të njohë shtetin e Kosovës. Deklaratë, quaje si të duash: daç të guximshme, daç të fortë, daç as të fortë as të butë, por ishte një qëndrim që pati impakt të gjerë ndër shqiptarë në mënyrën e ligjërimit publik zyrtar të Tiranës zyrtare.
Ky qëndrim është komentuar e s’ja vlen më ta diskutosh, pasi logjikisht askush nuk është ndjerë budallë si në Prishtinë, Skënderaj, Tetovë, Kumanovë, Preshevë, Shkup, Ulqin, Berat, Manastir, Çamëri apo Mitrovicë. Dhe nuk ka pse askush të ndjehej i budallepsur, nga një qëndrim i cili po të mos ishte dhënë, me shumë gjasa do të thuhej: “Po Kosovën e harrove? A ç’ka na di ti, budalla a?”
Pra nuk ka asnjë lidhje me sesi u ndje Berati apo kush tjetër, pasi përfaqësimi në politikë përbën nivelin e duhur të përgjegjësisë që një politikan ndjen ndaj qytetarëve të tij dhe këtu i zgjedhuri, por jo vetëm, është në syrin e vazhdueshëm të opinionit publik që e gjykon.
Dhe normalisht do të ishte mjaft e mirëpritur dhe korrekte që ky opinion publik të ishte matur nga organizma të specializuara të perceptimit, për të parë se si mendojnë njerëzit, dhe më pas të analizosh këtë perceptim duke e përfaqësuar.
Por Berati dhe disa të tjerë marrin përsipër të thonë apriori se ata dinë atë që mendon e kërkon Kosova. Berati sapo ka lënë mandatin e deputetit, thotë nëpër studio televizive apo shkrime, se Kosova nuk do që politikanët e Tiranës të flasin për ne në Beograd; Kosova nuk do që futbollistët nga Kosova të luajnë me kombëtaren shqiptare; Kosova nuk e pëlqen fare, po fare biftekun me asht, me një fjalë bërxollën, apo brinjën e qengjit, qysh po i thonë paidhaqen, nuk po na pëlqen vaji i ullinit se ka erë, e ku di unë se çfarë. Fiks, këtë thotë dhe Halil Matoshi.
Po mirë, ku e di Berati se çfarë do Kosova?! Vërtetë, nga e di? Se ka standarde matja dhe përcjellja e perceptimit të opinionit publik. Është shkencë ekzakte që quhet sociologji. Po nejse, ja ta zëmë se e di dhe e shtroi.
E akuzoi Ramën se bashkë me Vuçiçin, (me diktimin edhe të Angela Merkelit) paskan bërë marrëveshjen e tmerrshme kundër Kosovës, paskan ngritur Gjykatën Speciale, e cila normalisht do të ngrihet, nëse ndodh me votat e parlamentarëve të Kosovës. Dhe nëse Parlamenti i Kosovës i thotë jo, do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB, i cili voton unanimisht, pra edhe aleatët tanë si SHBA, shtetet e BE e të tjerë. Po ku qëndron Tirana këtu?
Në fakt këtu nuk qëndron aspak dhe këtë tollovi konspiracioni alla fejtonesh të vitit 2000-2001, Berati e nxjerr për të dalë aty ku do.
Që Edi Rama ka marrë pjesë solemnisht në Prishtinë tek inagurimi i shtatores së Ismail Qemalit dhe aty është valëvitur flamuri kombëtar, siç ndodhi faktikisht edhe në mbledhjen e dy qeverive në Tiranë.
Dhe nëse valëvitet flamuri kombëtar nuk përdhoset ai i Kosovës, përkundrazi, sepse 17 Shkurti 2008, dita e pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë, Drenicë a ngado ka qenë kuqezi, pavarësisht përkatësisë krahinore dhe politike. Dhe besoj nuk ka pasur asnjë budallepsje. Sepse nuk ka rëndësi se kush është dhe kush ndjehet diqysh, por çfarë ndodhi, kur ndodhi, ku ndodhi, pse ndodhi dhe si ndodhi- pra pesë “W”-t bazë të punës së çdo gazetari për të nxjerrë të vërtetën. Siç është dhe siç e percepton publiku! /tesheshi.com/