“Së pari, ne jemi shqiptarë, feja për ne është dytësore”. Ky pretendim i zakonshëm, që dëgjohet shpesh në mesin e shumë shqiptarëve, është i rrënjosur thellë në konceptin nacionalist të shqiptarizmit të shekullit XIX. Nacionalizmi shqiptar u shfaq në vitet e 1870-a dhe pavarësisht përçarjes së brendshme dhe agjendave konfliktuale, nacionalistët e hershëm, si Abdyl Frashëri dhe Pashko Vasa nxitën unitetin e shqipfolësve dhe minimizuan dallimet fetare.
Ky togfjalësh dhe trashëgimia e tij vazhdojnë ta formësojnë dhe mbizotërojnë identitetin bashkëkohor shqiptar. Por pse? Si përdoret më së shpeshti dhe çka e shtyn promovimin e gjerë të kësaj ideje?
Koncepti i shqiptarizmit duket se është temë e vazhdueshme diskutimi në diskurset shqiptare. Kuptohet që shumë shqiptarë janë lodhur nga debatet e përsëritura në Twitter, Facebook apo medie të tjera. Ndonëse pajtohem që këto biseda mund të jenë të përsëritura, mendoj se megjithatë është e rëndësishme të zbërthehet përdorimi bashkëkohor i kësaj fraze, veçanërisht duke marrë parasysh nën-tonin islamofobik që shpesh mbart — një nën-ton që shumë shqiptarë/e refuzojnë ta njohin.
“Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu”
Në poezinë e tij të vitit 1878, “O Moj Shqypni”, Vasa i përmendur më lart, një qeveritar katolik shqiptar i nivelit të lartë osman, shkroi fjalët që deri tani kanë formësuar nacionalizmin shqiptar. Në përpjekje për të krijuar dhe promovuar një identitet të bashkuar kombëtar shqiptar, Vasa u shpreh:
“Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!”
Rreshti i fundit, u bë togfjalësh i famshëm mes nacionalistëve shqiptarë. Në fakt, gjatë periudhës komuniste — 1946 deri në 1991— në Shqipëri, Enver Hoxha e shpalli Shqipërinë “shtetin e parë ateist në botë, feja e vetme e të cilit është shqiptaria”. Sot, ky togfjalësh përdoret gjerësisht në mesin e shqiptarëve, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri dhe është bërë pjesë e moralit tonë kombëtar.
Është interesante se shumica e shqiptarëve sot duket se e shpërfillin kontekstin themelor të këtyre rreshtave: se shqiptarët historikisht kanë qenë shumë të ndarë fetarisht. Shkrimtari dhe disidenti shqiptar, Fatos Lubonja e zbërthen këtë nocion të shqiptarizmit, duke thënë: “Kjo ka qenë një thirrje për të ndryshuar realitetin që do të thotë t’i përbashkojë shqiptarët rreth idesë që ne na bashkon gjuha, etnia por jo feja meqë jemi të ndarë”.
Lubonja thekson se shqiptarizmi është një fenomen relativisht i ri në historinë tonë të gjatë dhe sigurisht që nuk është diçka e qenësishme e identitetit tonë, duke argumentuar se “Kur i largohet vargu i parë ‘Mos shikoni kisha e xhamia’ dhe pjesa e dytë rreth shqiptarizmit kthehet në mit, bëhet sikur feja e shqiptarit ka qenë gjithmonë shqiptaria, sikur shqiptari gjithë kohës ka qenë shqiptar para se gjithash sesa fetar”.
Shqiptarizmi dhe Islamofobia
Nocioni i të qenit shqiptar mbi çdo gjë tjetër e ka bërë gati tabu të identifikuarit kryesisht me besimet fetare — veçanërisht nëse ai besim është Islami — ose të identifikuarit si mysliman dhe shqiptar në të njëjtën kohë. Mbrojtësit e shqiptarizmit priren që në mënyrë specifike t’i shkurajojnë shqiptarët myslimanë që t’i japin përparësi fesë së tyre krahas kombit të tyre.
Kush janë këta mbrojtës të shqiptarizmit? Një kërkim i thjeshtë i “Feja e shqiptarit është shqiptaria” në platforma të ndryshme të medieve sociale shpërfaq përdorimin e tij shpeshtë, pasi përdoret nga elitat politike, qytetarë të thjeshtë, studiues e shumë të tjerë.
Në mesin e figurave të shquara është publicisti Fahri Xharra, i cili i inkurajoi shqiptarët e Kosovës në Facebook që ta listojnë fenë e tyre si “shqiptaria” në regjistrimin e popullsisë të vitit 2024, duke pretenduar se kjo “herë është shansi i fundit të shpëtojmë si komb!” Duke lexuar mes rreshtave, bëhet e qartë se Xharra e sheh Islamin si kërcënimin kryesor për kombin shqiptar dhe promovon shqiptarizmin si një masë kundërvënëse.
Ka edhe shembuj tjerë të pafund të shqiptarëve të rëndomtë që e përkrahin shqiptarizmin. Për shembull, më herët këtë vit, në maj, portali Kosova.Info zhvilloi intervista në rrugë me qytetarë të rastit në qendër të Prishtinës. Në një intervistë, një burrë me plis dhe me flamurin shqiptar të mbështjellë përreth, u bëri thirrje shqiptarëve “mos e lëshoni rrugën e shqiptarisë” dhe theksoi se “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kur u pyet se çfarë nuk i pëlqen te populli i tij, ai u përgjigj: “Më së pari, mu s’më pëlqejnë shamijat dhe mjekrrat. S’o kulturë e jona. Ai që e nin veten shqiptar dhe është krenar, i kapet Lëvizjes së Deçanit”.
Ndonëse disa mund ta shohin retorikën e tij si reagim ndaj ndikimit të perceptuar radikal islamik në Kosovë, intervista tregon të kundërtën. Fjalët dhe toni i folësit janë produkte të diskursit gjithëpërfshirës të nacionalizmit shqiptar, i stërpërqendruar në refuzimin e ndikimeve të huaja — lexo: arabe dhe turke — dhe në promovimin e asaj që ai e sheh si kulturë autentike shqiptare. Armiqësia e tij e hapur për simbolet islame, si hixhabi dhe mjekra, duket se përputhen më shumë me një narrativë më të gjerë islamofobike, sesa me një përgjigje ndaj radikalizmit.
Por çka saktësisht është Lëvizja e Deçanit? Lëvizja e Deçanit, e njohur edhe si Lëvizja për Braktisjen Vullnetare të Besimit Islam, është një organizatë e udhëhequr nga aktivisti i Vetëvendosjes (VV), Pajazit Jashari. Qëllimi i tij është t’i bindë shqiptarët që të braktisin identitetin e tyre mysliman dhe besimet dhe praktikat islame.
Faqja e Lëvizjes së Deçanit në Facebook e ka të vendosur deklaratën e lëvizjes si fotokopertinë. Ndër të tjera, në deklaratë thuhet: “Deklarimi unanim ishte se ‘Nga sot e tutje nuk jemi muslimanë’ … Kishte ide se Feja e shqiptarit është shqiptaria, se shqiptarët janë iliroarbërorë … dhe pati vullnet për të përkrahur nismën, për të kaluar drejtpërdrejt në katolicizëm, në rrënjët e tyre të hershme, respektivisht në identitetin dhe kulturën evropiane”.
Me fjalë tjera, kjo lëvizje e bën të qartë se etiketat e shqiptarizmit dhe katolicizmit janë të përshtatshme dhe të tolerueshme për shqiptarët, ndërsa islami konsiderohet pa mëdyshje i papërputhshëm me shqiptarinë. E gjithë kjo shtron pyetjen: a do të dëgjonim kaq shumë për “shqiptarizmin” nëse shumica e shqiptarëve do të ishin të krishterë? Duket e pagjasë.
Edhe pse disa mund ta shohin shqiptarizmin si minimizim të barabartë të të gjitha feve, realiteti është se — bazuar në përdorimin e zakonshëm të frazës — islami konsiderohet si kërcënimi kryesor për identitetin kombëtar shqiptar. Krishterimi konsiderohet në përputhje me shqiptarizmin, ndërsa islami shihet si i huaj dhe i panatyrshëm. Kjo për shkak se identiteti i krishterë ua jep një pamje natyrale evropiane shqiptarëve, pamje kjo që nuk mund të bashkë-ekzistonte me islamin. Një pikëpamje e tillë udhëhiqet nga një ndjenjë e inferioritetit, pasi nacionalistët shqiptarë përpiqen të rreshtohen me zor me islamofobinë evropiane, për ta krijuar një identitet artificial perëndimor të vetë-imponuar mbi të gjithë kombin shqiptar.
Gëzuar Bajramin?
Ndikimi i shqiptarizmit në elitën e Kosovës është i dukshëm. Në vitin 2022, Sadri Ramabaja, një autor dhe analist politik i shquar, përdori llogarinë në Facebook për t’u uruar festën e Bajramit bashkëqytetarëve të tij shqiptarë që festojnë festën islame. Në postimin e tij ai shkroi: “Gëzuar festën e Fitër Bajramit bashkëkombasve e miqve të mi, që këtë festë islame e vlerësojnë ashtu si de fakto është — vlerë e civilizimit islam, ndërkaq Kombin e kanë kryevlerë!”
Edhe pse Ramabaja nuk e citoi apo përdori drejtpërdrejt gjuhën e saktë të Vasës, mesazhi është gjithsesi i qartë: shqiptarët duhet të vënë gjithmonë kombin para fesë. Fakti i thjeshtë që Ramabaja përdori festën fetare të Bajramit, për ta promovuar unitetin kombëtar në kurriz të një identiteti parësor islamik, mund të interpretohet si formë e tërthortë e islamofobisë.
Prova më e mirë se si gjuha e shqiptarizmit synon në mënyrë specifike minimizimin e myslimanizmit, mund të shihet në një tjetër postim të Ramabajës në Facebook. Për Krishtlindjet e vitit 2022, vetëm tetë muaj pasi ua uroi shqiptarëve myslimanë festën e Bajramit, Ramabaja uroi shqiptarët e krishterë, por edhe të krishterët në mbarë botën. “Gëzuar Krishtlindja të gjithë shqiptarëve të krishterë dhe të gjithë miqve të mi gjithandej nëpër botë”, shkroi ai.
Ky postim përfshinte emoji të shumta dhe madje edhe një përkthim gjermanisht, diçka që nuk u shfaq edhe në postimin e tij të njëtrajtshëm për Bajram. Më e rëndësishmja, përkujtimi i Ramabajës — i cili gjithashtu lexohet si një apel — për shqiptarët myslimanë që t’i japin përparësi kombit para fesë, mungon në postimin e tij për Krishtlindjet.
Bazuar në këto dy postime, është e qartë se Ramabaja po promovon një formë të kamufluar të islamofobisë, duke e reduktuar islamin si nën shqiptarizmin. Mungesa e retorikës së shqiptarizmit në postimin e Ramabajës për Krishtlindje shfaq mungesën e nevojës së tij për ta theksuar kombin para fesë, kur i referohet krishterimit. Krishterimi konsiderohet i pajtueshëm me shqiptarinë, ndërsa islami shihet si i huaj, i panatyrshëm dhe jo-evropian.
Një dikotomi e rreme
Ne duhet ta refuzojmë dikotominë e rreme mes identitetit fetar dhe atij kombëtar. Njeriu mund të jetë edhe mysliman edhe shqiptar. Njeriu duhet gjithashtu të jetë në gjendje të identifikohet fillimisht si mysliman, pa u përjashtuar dhe pa u parë si ekstremist apo tradhtar. Më e rëndësishmja, ata/o që identifikohen fillimisht si myslimanë/e nuk janë më pak shqiptarë/e se ata/o që e shohin veten së pari si shqiptarë/e.
Është interesante se shqiptarizmi shpeshherë lartësohet nga njerëzit me ndikim dhe intelektualët tanë, si një koncept unik që na dallon nga kombet e tjera. Teksa ideja se shqiptarët myslimanë dhe të krishterë kanë luftuar dhe kanë vdekur shpesh së bashku, është me të vërtetë diçka për t’u krenuar, nuk është unike. Shumë kombe të tjera shumë-fetare, si palestinezët dhe kurdët, kanë shfaqur gjithashtu unitet përtej ndarjeve fetare.
Çfarë e veçon shqiptarizmin është nevoja e vazhdueshme për të theksuar një identitet kombëtar të bashkuar, diçka që nuk shihet aq shumë në këto kombe tjera. Palestinezët dhe kurdët, për shembull, nuk e përdorin palestinizmin ose kurdizmin për t’i kujtuar me këmbëngulje popullit të tyre që ta mbajnë besimin e tyre privat dhe dytësor.
Pohimi i sforcuar i shqiptarizmit në diskurset e sotme mund të interpretohet si një akt dhune, në kuptimin që sulmon mënyrën e të qenit shqiptar mysliman. Kjo ide e shekullit XIX, i shërbeu qëllimit të saj. Tani, e ka tejkaluar dobinë e vet dhe është instrumentalizuar për qëllime keqdashëse.
Sa më shumë që promovohet dhe normalizohet kjo ide, aq më e madhe është ndjenja e tjetërsimit dhe armiqësisë që ndiejnë shqiptarët myslimanë — jo sepse ndihen të sulmuar qenësisht nga shqiptarizmi, por sepse u bëhet presion për t’u përshtatur me një identitet të vetëm shqiptar, që i jep përparësi kombit para shprehjeve të ndryshme fetare. Kështu, mënyra më efektive për ta mbrojtur dhe ruajtur unitetin shqiptar, nuk është duke inkurajuar me këmbëngulje shqiptarizmin, por duke shkuar përtej tij.
Marrë nga K2.0. Qëndrimet e shprehura në këtë artikull nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qendrimet apo politikën editoriale të tesheshi.com
*Shan Karemani është studiues i pavarur. Mban diplomë master në Studime Ruse dhe të Evropës Lindore nga “Universiteti i Indianës” dhe diplomë bachelor në shkencat politike nga “Universiteti Stetson”.