Shtimi i rasteve të vetëvrasjeve kohët e fundit është një indeks negativ për prirjen që shoqëria jonë ka filluar të marrë sapo të përballet me një problem. Të gjithë do të donim të dinim se çfarë mendon i vetëvrari pasi ka kryer aktin. Ç’rëndësi ka, mund të thotë dikush. Dikush tjetër mund të thotë se ai nuk mendon fare. Po nëse mendon, çfarë mendimi ka ai për tablonë që la pas?
Vetëvrasja është një akt i cili ndodh në rrethana jashtëzakonisht të veçanta, ku pleksen disa elementë aq të fuqishëm sa të mundin instiktin më të fortë që ka qenia njerëzore, instiktin e mbijetesës. Aq i veçantë është ky moment, saqë përqendrimi në kryerjen e një akti të tillë tejkalon dhe mbivendoset mbi sistemin me të cilin është pajisur njeriu për të ruajtur ekzistencën e vet.
Në të njëjtën kohë, vetëvrasja është edhe një provë se njeriu është i pajisur me shpirt, i cili në rrethana të caktuara del mbi trupin, duke e sfiduar atë. Një provë për këtë janë edhe aktet e martirizimit të heronjve apo martirëve, të cilët për kauza të mëdha vetësakrifikohen duke mposhtur instiktin e jetës në favor të triumfit të kauzës. Me këtë nuk dua të them absolutisht se vetëvrasja renditet në aktet e heroizmit, por çka dua të evidentoj është fakti se në të dy rastet na shfaqet dimensioni mbimaterial i njeriut.
Po le t’i kthehemi vetëvrasjes. Fatkeqësisht, ky fenomen po bëhet aq i pranishëm, sa edhe shqetësues për të gjithë ne, për shkak të shpeshtësisë me të cilin na prezantohet në realitetin tonë. Aq sa i lavdërueshëm, promovues dhe referencial ngjan akti i vetëflijimit për kauza të mëdha në shërbim të njerëzimit, aq i dobët, i pavlerë dhe rreptësisht i refuzuar ngjan akti i vetëvrasjes për motive të dobëta.
Shpesh ky akt vjen menjëherë pas një indeksi të ulët të veprimit social, i cili mund të paraprihet me një vrasje apo me një këndvështrim fatalist për botën. Sido që të jetë, në të gjitha rastet e vetëvrasjeve, pika në të cilën bashkohen ato është koncepti i të vetëvrarit për jetën, botëkuptimi i tij në lidhje me ekzistencën. Eshtë karakteristike se sa në raport të drejtë në lidhje me vetëvrasjen qëndron botëkuptimi i ekzistencës rastësore të njeriut, si qenie e cila lind, vdes dhe zhduket pa lënë gjurmë, si një njollë e errët në një natë të zezë.
Në përgjithësi, aktet e vetëvrasjeve janë kryer nga persona të cilët kanë menduar t’u japin fund vuajtjeve dhe sprovave të jetës, ose t’u ikin masakrave që kanë bërë, duke menduar të bashkohen me viktimat. Statistikat e vetëvrasjeve në Shqipëri janë alarmante, dhe për këtë sigurisht që nuk duhet ndihma e këtyre rreshtave, sepse amplifikimi mediatik është spektakolar.
Tani, në fakt, ne ndodhemi përballë aktit si të tillë dhe afishimit të tij mediatik si fenomen më vete, i cili, për nga mënyra se si serviret nga mediat, ngjan me një rrugë e cila duhet ndjekur nga të gjithë me të hasur vështirësinë e parë në jetë. E them këtë, sepse jo vetëm për efekte komerciale dhe komercializmi ai zë vendin e parë në lajme, por edhe qëndrimi kritik, analiza e lajmit, apo oponenca e ekspertëve për këtë fenomen nuk shoqërohet pothuaj fare me këtë lajm. Pra, shoqëria jonë, e në mënyrë të veçantë të rinjtë, kalojnë përmes një procesi të natyrshëm familjarizimi me lajmin, duke mos ruajtur një raport tëhuajësimi me këtë fenomen.
Në një shoqëri postmoderne, ku media ka marrë përsipër të thyejë të ashtuquajturat tabu sociale, duke marrë misionin gjoja vizionar të së ardhmes, ku pikërisht në saje të mediave prostitucioni duket si kulmi i ndershmërisë krahasuar me mënyrën mediatike të qasjes ndaj homoseksualizmit, apo ku vrasja e mijëra njerëzve në një cep të globit përshkruhet gati si një fenomen natyror ndërsa ngordhja e disa specieve të fokave serviret si tragjedi për njerëzimin, qasja mediatike ndaj vetëvrasjes priret më shumë në efektin marketues që do të bëjë media për lajmin e parë, sesa në shembullin që i vdekuri la për të gjallët.
Vetëvrasja është në thelb një situatë psikologjikisht anormale, që vjen si pasojë e moskuptimit të drejtë të ekzistencës, ku paraprirëse e saj është dobësia. Nuk janë shkaqet ekonomike apo kriza financiare ato që mund të shkaktojnë vetëvrasje, pasi një numër i madh syresh që e bëjnë një akt të tillë vijnë nga bota e bollëkut, pasanikë, artistë, etj. Prandaj, me gjetje kote shkaqesh ne nuk duhet të vrasim konceptin mbi vetëvrasjen, sepse kështu në fakt e kemi ringjallur atë, duke i dhënë formën e një tradite. Sikur i vetëvrari të kishte një mundësi rikthimi, mendoj se do të ishte i pari që do t’u ulërinte njerëzve që të mos e ndiqnin shembullin e tij. Ajo që del prioritare në këtë situatë është ndërtimi i një raporti përjashtues me këtë fenomen. Me të njëjtën forcë që luftohet mediatikisht gjakmarrja, po ashtu duhet dënuar edhe, le ta quajmë, marrja gjak e vetvetes.
Nuk është çudi që, duke filluar nga tekstet shkollore, të ndërtohet personazhi negativ ose antiheroi, i cili, në ndryshim nga modeli edukues, është i dobët, vret veten dhe duhet përjashtuar nga shoqëria. Kështu, duke rritur një brez i cili që në vogëli ka një koncept të qartë mbi dënueshmërinë e këtij akti, atëherë, tashmë i rritur, ky brez transformohet në frenues aktiv të këtij fenomeni. Po ashtu, përpjekje më aktive u takon të bëjnë komunitetet fetare, të cilat duhet që fenomenin e vetëvrasjes ta fusin në axhendën prioritare të tyre, duke gjetur forma të cilat qëndrojnë larg formalizmit dhe që japin zgjidhje restauruese shpirtërore. Ndërsa, përsa i përket politikës, ajo duhet të zvogëlojë mundësitë që me veprat dhe parullat e veta të mos ia çojë të paktën në mendje ndonjërit vetëvrasjen. /tesheshi.com/