Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Redi Shehu/ Vrasja e profesionalizmit institucional në emër të institucionit të servilizmit

Nuk do të ishte e tepërt të thonim se situata e krimit në Shqipëri, jo vetëm që është e tejngarkuar me ngjarje, por edhe ka ndërtuar përcepimin e frikës dhe terrorit në mjediset e ndryshme të fibrës tonë sociale. Mjedis i cili ndjehet teksa pulson frikshëm në pronarë biznesesh e lloje të tjera të sipërmarrjesve, të cilat shpejtojnë drejt zgjidhjesh imediate sepse koha nuk po pret. Ditë që pasojnë ditë të tjera, ku ngjarje kriminale rreken t’u japin ngjyrë atyre, ndërkohë që konstruksioni i frikës përmasohet bollshëm në atë që duhej të ishte atmosfera e duhur e prosperitet të pritur. Si aspirantë për t’u integruar në botën e vendeve të standartizuara dhe të zhvilluara ekonomikisht, e kuptojmë pa mëdyshje se është tipar i kësaj ekzistence që prosperiteti dhe standartizimi të arrihen vetëm në një mjedis  ku rendi dhe paqja sociale të jenë të garantuara. Për këtë arsye, gjejmë që një ndër pozicionet strategjike të çdo qeverisjeje të jetë edhe ai i Ministrisë së Brëndshme, si kujdestare e rendit publik dhe është pikërisht ky pozicionim që përbën edhe një ndër pikat më të forta të stafit të çdo qeverisjeje, ngase interesat e secilit janë të lidhura pandashëm me qetësinë.

Situata e rendit publik, orientoi së fundmi vëmendjen tonë drejt faktit se sa përzgjedhja e Kryeministrit Rama në  emërimin e zt, Tahiri si Ministër i Brëndshëm, ishte një përpjekje drejt profesionalizmit apo drejt ndërtimit të ngrehinës së bindjes së verbër ndaj liderit. Ndodh për të pafundmen herë, kur zgjedhësi në cilësinë eufemistike të sovranit, zgjedh liderë politikë apo administratorë vullnetesh politike për të profesionalizuar proçesin e administrimit të fateve të tij, dhe po për të pafundmen herë, përballet me vrasjen e profesionalizmit institucional në emër të institucionit të servilizmit. Ngjarjet që ndodhin përditë, i japin zë një pyetje tashmë legjitime se a është vërtet zt, Tahiri gjetja e duhur për një shtyllë kaq të rëndësishme të qeverisjes, nisur nga fakti që atij së paku i mungonte eksperienca tipike për poste të tilla. Posti i ministrit, është post politik mund të thotë dikush. Kjo është po aq e vërtetë sa edhe fakti se profesionalizmi ngrihet apo shkatërrohet nga politika. Duke shkuar më tej, nuk mjafton vetëm mospasja e profesionalizmit në këto punët e rendit dhe renditjes, por emërimet tipike afeksioni, transmetohen tek vetë i zgjedhuri si garanci për ta përdorur pushtetin  pa adrenalinën e konkurencës institucionale.

Nga njëra anë kemi keqbërësit të cilët rreshtojnë shpërthimet deri tek familja e Ministrit të Brëndshëm, grabitësit e bankave dhe bizneseve, pengmarrësit dhe vrasësit me pagesë të cilët përbëjnë anën e dhunshme të palës e cila duhej të ishte tjetra, dhe kemi keqbërësit nga rradhët e policisë, që rrahin e dhunojnë, e cila duhej të kosiderohej si palë e jona. Të dyja palët ushtrojnë dhunë ndaj të njëjtit subjekt që janë qytetarët e këtij vendi që të ekzaltuar në sovranitetin e tyre eufemistik,  e gjejnë veten viktimë të as më shumë e as më pak, po të përzgjedhjes së tyre të gabuar. Me pak fjalë, sovranë pa sovranitet, të cilëve u nëpërkëmbet qetësia, përbërësi kryesor i stabilitetit të tyre, në rrafshin individual, familjar por edhe kombëtar. Në këtë pikë, ku dallimi mes dhunës kriminale dhe dhunës policore është zvenitur tërësisht, pyetjet e “sovranit” sa vijnë e shtohen.

Justifikimi qeveritar për shtimin e akteve të dhunës, bazohet në një formulë që duket sa e çuditshme po aq edhe e pazbërthyeshme. Ata thonë se shtimi i krimit i dedikohet rritjes së punës së policisë dhe presionit që ajo po i shkakton këtij të fundit. Pra, një soj marketimi nekrologjik ku përmes viktimave dhe dëmeve të nxjerrësh në pah aftësitë dhe sukseset e tua. Nuk është hiç e vërtetë. Sepse kjo formulë do na bënte të mendonim që sa më pak që policia punon, aq më pak krime kemi. Jo vetëm kaq, por pretendimi se krimi rritet sa më shumë të rritet presioni policor, shkon në kundërshtim me çdo praktikë dhe logjikë profesionale.  E kundërta ndodh në realitet,  ku si pasojë e goditjeve apo presionit policor, krimi tkurret apo edhe zvenitet tërësisht. Një tjetër element problematik që haset në deklaratën e Policisë së Shetit, është se krimi emërtohet dhe konsiderohet si entitet homogjen, kur në fakt ai është i përbërë nga një pafundësi heterogjene individësh dhe grupesh kriminale me cilësi, sjellje dhe shënjestra të ndryshme. E vetmja e përbashkët e këtij heterogjeniteti të krimit aktualisht tek ne, është pikërisht ndjesia e sigurisë për ta bërë krimin, ndjesia në  ekzistencën e depersonalizimit dhe deprofesionalizimit të organeve të ruatjes së rendit.

Të gjendur në një situatë tronditëse, ministria e dhe Ministri i Brëndshëm, lëshojnë deklarata të tronditura pikërisht si pasojë  e kësja gjëndjeje. Koha ka treguar se sa më pak profesionist të jetë lideri i një institucioni, aq më shumë rritet numri i të paaftëve në dikasterin ku ai drejton. Përzgjedhja e gabuar politike në emër të servilizmit, shkakton një cunami deformues në strukturat e institucionit, saqë, e bën edhe krimin të ndjehet i sigurtë aq sa të godasë vetë ministrin. Metodologjia e luftës ndaj krimit në formatin Rambo, sidomos pasi krimi ka bërë kërdinë në të gjithë Shqipërinë bëhet për të lënë gojëhapur , më shumë se të tjerët, policinë vetë. Ajo që është akoma më shqetësuese, është fakti i trajtimit të çdo qytetari që në premisë si kriminel shoqëruar me forma ekzibicioni të zhandreve kinematografike.

Formate të tilla të kontaktit me qytetarin dhe me taksapaguesin shoqëruar me proçedurë presioni të pastër, vetëm sjellin në vëmendjen e çdonjërit mungesën prej kohësh të ruajtësit të rendit në përceptimin komunitar. Aty ku inteligjienca e sigurisë dështon, atëhere vëndin e saj e zë forma e dhunshme dhe prepotente e prezencës. Këto të ashtuquajtura aksione, më shumë se sa e rregullojnë situatën e rendit,  kujdesen për t’i treguar votuesve se policia nuk është akoma një specie në zhdukje e sipër, por ka shpresë se mund t’i mbijetojë gjahtarëve të krimit. Një ngushëllim aspak optimist. Të strukturuara si muret e trasha të kështjellës së pushtetit, institucionet e ruajtjes së rendit krejt ndryshe nga funksioni në ndihmë të qytetarëve ilustruar me postera policësh e policesh krenare që shikojne tej në horizont, materializohen në drejtori e komisariate të cilat përbëjne pikën e grumbullimit të tifozllëkut partiak i cili është manifestuar qartë këto dy dekada. Shpeshherë edhe pjesë e krimit dhe e trafikut, kjo gjeneratë kushërinjsh e militantësh, kanë ndërtuar një strukturë të ruajtjes së rendit e cila thërrmohet shumë kollaj nga banditë e kriminelë, makinat luksoze të të cilëve merrnin së pari bekimin pikërisht nga këto komisariate.  Ne paguajmë strukturat e rendit, përmes sistemit taksues, pikërisht për t’i kursyer vetes situata të tilla, për të ndërtuar një infrastrukturë parandalimi dhe neutralizimi të krimit mundësisht jashtë vëmendjes së qytetarëve. Por, sigurisht që e gjithë kjo që ndodhi dhe që ndodh në mënyrë të përsëritur është pasojë e trajtimit të amanetit politik të zgjedhësve si  bonusi  pushteti i cili të jep të drejtën të strehosh në vendstrehimet (lexo institucionet) publike, armatën e kushërinjve, militantëve, servilëve, sahanlëpirësve, meraklinjve e kazanxhinjve duke lënë jashtë kriterin e profesionalizmit.

Është shumë e vështirë që kriminelët të ndjekin kriminelët. Problemi së pari është politik, pra ka implikime me qëllimin politik të vendosjes së rendit përtej retorikës qesharake të pushtetit, pastaj është problem profesional i cili vjen si pasojë e mbivendosjes së kriterit partiako-klanor mbi atë të meritës profesionale.  Prandaj, as mos të mendojmë se me të tillë metodologji dhe strukturë ne do të jemi në gjëndje të  ndërtojmë një siguri sociale ashtu siç duhet. Shkaqet dihen janë ditur po ashtu edhe mënyrat për t’i përmirësuar janë të ditura dhe vazhdojnë të dihen. Riqepja sociale shqiptare e ndarë tejskajshmërisht do të sillte jo vetëm zgjidhjen e problemeve me rendin por edhe të shumë problemeve të tjera të cilat na ndajnë  pothuaj simetrikisht me njëri-tjetrin.

 

auto pjese dak

Related posts