Mjaftojnë ca ditë me shi që të dalin pak nga rutina e tyre e përhershme e rënies me masën e duhur, për të kuptuar se sa shpejt ne njerëzit, kthehemi në dimensionin tonë origjinal, atë të një qënieje të vogël e të papërfillshme e cila është në nevojë të gjithçkaje. Pak ditë me shi më shumë se zakonisht dhe praktikisht çdo gjë ndryshon nga ajo rutina jonë e të menduarit brenda kuadratit normal të gjërave. Mjaftuan pak orë më shumë shi në Shqipëri, për të na e fshirë atë shfaqjen tonë plot me ndjesi se gjërat i kemi nën kontroll. Mjafton po ashtu pak orë më shumë shi, që këtu tek ne të dalin në sipërfaqe dështimet e sistemit tonë të administrimit. Them sistemit të administrimit sepse ngjarje të tilla ku shiu apo edhe fenomene të tjera natyrore kanë gjunjëzuar edhe shtete më të fuqishme që në godtitjen e parë. Por atje, pas fatkeqësisë, një zinxhir proçedurash e rolesh të hallkave dhe institutioneve përgjegjëse, marrin nën kontroll situatën dhe periudha e rehabilitimit, apo postfatkeqësisë, kthehet në një fazë të restaurimit të shpejtë.
Edhe këtu tek ne proçedurat natyrore pak a shumë të njëjtat janë, për të mos thënë se Zoti me ne është treguar i mëshirshëm me fatkeqësitë natyrore duke parë shkallën e llahtarshme të zullumeve që në mënyrë konstante dhe eksponenciale nuk harrojmë t’i bëjmë sa më shpesh. Ndryshimet tona me vendet e tjera, fillojnë me periudhën post-trauma. Pra pas ngjarjes, pas përmbytjes në rastin konkret, ne fillojmë së pari të përmbytim veten me lajme të një formati që karakterizohen nga paniku i vetorganizuar i cili natyrisht që merr ngjyrimet e panikut të djathtë dhe panikut të majtë. I pari, duke ekzagjeruar traumën deri edhe fatkeqësinë e cila “meritohet nga pozita” dhe i dyti duke minimizuar ngjarjen deri në suazat e një normaliteti funksional me “ca përjashtime të vogla”. Të dyja raset e panikut, përbëjnë një fatkeqësi më vete e cila ia kalon fatkeqësisë natyrore sepse ndërton një fatkeqësi në kurriz të solidaritetit social.
Anë të djathtë dhe anë të majtë të të parit politik të gjërave ka në çdo vend të botës, por në situata të jashtëzakonshme, në situata ku vihen në pikëpyetje gjëra shumë më të rëndësishme për një komb dhe një shtet, solidarizimi është ndjesia përbashkuese e cila përshkon të gjithë fibrën sociale të një komuniteti njerëzish që në formë konsensuale kanë vendosur ta kalojnë jetën e tyre së bashku në të gjitha format dhe mënyrat që jeta t’i ofron.
Pikërisht, fatkeqësia me e madhe e jona, e cila ia kalon edhe asaj natyrore, është mosdija apo mosndjesia e asaj se ku disa gjëra duhet të ndalen. Fatkeqësitë natyrore shpesh shërbejnë jo vetëm si përkujtuese për njerëzit, për mënyrën se si ato i kanë bërë gjërat apo për mënyrën se si ato duhet t’i bëjnë gjërat, por ato shërbejnë pikërisht edhe për të rrëzuar ato kufinj politiko-mendor që grupimet kanë ndërtuar gjatë përpjekjeve të tyre për të administruar përditshmërinë e vet.
Paniku i djathtë dhe paniku i majtë, duhen shpërbërë nga dimensioni i tyre politik sidomos kur bëhet fjalë për katastrofa kombëtare apo fatkeqësi që bien në kurriz të të zgjedhurve, për më tepër kur investitorët më të mëdhenj të paaftësisë për t’i projektuar, zbatuar dhe perfeksionuar gjërat, janë të gjitha forcat politike shqiptare. Në rast se do të kishte vërtet një panik në situata të tilla, do të ishte paniku popullor për fatkeqësinë qeverisëse të këtij vendi i cili nuk ka lënë metër katror pa perkur.
E gjitha përmblidhet në caktimin e disa kufinjve deri ku mund të bëhet politikë. Do të kishte një farë sensi që në një vend të zhvilluar, ku standarti e përshkon të gjithin atë dhe përpjekjet administruese janë mëse të admirueshmë, të mund të përdorej dimensioni politik në një fatkeqësi në funksion të përmirësimit të gjërave. Por, në një vend si ky i yni, që jeton brenda një fatkeqësie e cila nuk është natyrore, por njerëzore e shkaktuar nga agjentë humanoidë, ku shpërdorimi politik është shkaktari krysor i saj, lufta politike mbi të qënurit i djathtë apo i majtë në emergjencë, tingëllon shëmtueshëm dhe aspak reflektuese. /tesheshi.com/