Krimet e javëve të fundit janë renditur në formë progresive si trofe anarkie ndaj organeve të ruajtjes e mirëmbajtjes së rendit publik. Shtimi i tyre me ritme të frikshme nga një segment i shoqërisë që “trimërinë” e vet e aktivizon vetëm gjatë lulëzimit të kaosit për punë të cilat në thelb janë të dobëta, dhe këtë trimëri nuk e aktualizon aspak gjatë mbretërimit të rregullit dhe rendit shoqëror, ka zbehur kriterin e besueshmërisë së qytetarit ndaj mjedisit publik në të cilin ai ka vendosur të shpenzojë orët e jetës së tij. Të lodhur tashmë nga psikologjia dhe metodologjia e “task force”-s, të një iniciative mediokre që merr udhë vetëm në situatë pasiviteti dhe jo parandalimi, çdokush ka të drejtën e natyrshme t’i bëjë pyetje vetes lidhur me atë se çfarë qëndrimi duhet të mbajë secili, nën petkun e anëtarit të thjeshtë të shoqërisë, për të kontribuar në përmirësimin e gjendjes. Të pashpresë në të drejtën e tyre demokratike, qytetarët duhet vetëm të zgjedhin poltronin e radhës për t’u ulur e për të soditur fatkeqësinë e disatë në rendin kohor të gjërave, e cila kthehet e rikthehet si produkt elektoral i një sistemi që kurrë nuk mori përsipër të përfaqësojë direkt interesat e tyre.
Eshtë e menjëhershme, por edhe tërësisht e natyrshme, që me të marrë vesh për krimet monstruoze të cilat shpesh ngjyrosin asfaltin tonë elektoral, të të aktivizohet instikti i shpagimit si një sedativ për vendosjen e gjërave në vendin e duhur. Kjo sepse është në natyrën njerëzore që padrejtësia të zërë një vend të përkohshëm në kornizën e botëkuptimit të secilit, ndaj dhe individi rend me instiktin dhe imagjinatën e tij drejt hakmarrjes ndaj burimit që shkaktoi padrejtësinë. Prandaj, pas çdo lajmi mbi kriminelë të cilët vrasin gra të pafajshme, apo mbysin njerëz për t’u zhvatur pasurinë, a për vrasje makabre për hiçgjë, është e natyrshme që audienca të tërheqë këmbëzën e vet imagjinare për të marrë atë hakun e munguar ndaj shkaktarëve, të cilët bredhin lirshëm si pasojë e qindra yçklave që sistemi i drejtësisë kujdeset që kurrë të mos i harrojë.
Përveç faktit se pandëshkueshmëria është tashmë një sistem i mirëkonsoliduar në Shqipëri, ekziston edhe mbrojtja ligjore tanimë ndaj vrasësve, të cilët nuk kanë assesi shanse ta paguajnë me jetë marrjen e jetës së të tjerëve. Sepse që nga viti 1995 Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës, dhe që atëherë ajo është angazhuar për të ratifikuar Konventën Evropiane dhe protokollet e saj shtesë. Ndër të cilët edhe të famshmin protokoll numër gjashtë të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në lidhje me heqjen e dënimit me vdekje, të aprovuar në Strazburg që në prill të 1983-shit, ku specifikisht, në nenin 1 të saj, thuhet: “Dënimi me vdekje hiqet. Askush nuk mund të dënohet me një dënim të tillë, as të ekzekutohet.”
Në fakt, ky qe telashi më i madh që i hapi vetes Shqipëria në lidhje me rendin shoqëror, e cila, e ardhur nga një mjedis dhe kulturë e mangët e jetës në liri, si pasojë e ndrydhjes në një burg të madh ndërgjegjeje gjysmëshekullor, shpërtheu në jetën e lirë pa norma dhe pa moral shoqëror të mirëkonsoliduar. Duke shtuar dhe sterilitetin fetar, i cili është një përbërës domethënës në nxitjen dhe përkeqësimin e kriterit moral, vrasja, dëmtimi i pronës dhe cenimi i dinjitetit të tjetrit nuk u konsideruan publikisht si sakrilegj që duhet shpaguar, por si fenomene të cilat duhej të riparoheshin me gjuhën e ligjit. Të një ligji që kriminelit i jepte mundësinë të jetonte pas bërjes së një krimi të rëndë, në emër të të drejtave të individit (të atij të gjallë, por jo të atij të vdekur tashmë).
Kjo rezultoi me shtimin e akteve të dhunshme dhe me një hov të madh të fenomenit të gjakmarrjes, pasi psikologjia e tipit, “nëse shteti s’merr hak, hakun e marr vetë,” zëvendësoi rolin e shtetit në procesin e vënies së drejtësisë shoqërore. Por duke qenë se hakmarrja personale nuk garantonte atë urtësinë dhe saktësinë që shteti do të duhej të jepte në raste të tilla, ajo u shoqërua me efekte anësore, të vrasjeve të të pafajshmëve, të cilat, në vend që të mbyllnin konflikte, prodhonin konflikte të reja në mënyrë ciklike. Të dhënat flasin vetë. Në vitin 2011 janë bërë 139 vrasje, 109 prej të cilave janë për hakmarrje, nder dhe gjakmarrje, ndërsa në 6-mujorin e parë të vitit 2012 janë bërë 67 vrasje, po për këto motive. Veç këtyre, në 2011-ën ishin 1640 familje të ngujuara e të fshehura për shkak të gjakmarrjes, ndërsa në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2012 ishin 1309 familje. Nga këto, 230 janë detyruar të largohen nga Shqipëria gjatë këtyre kohëve. ( Gazeta Shqiptare, numri i datës 10. 07. 2012).
Rikthimi i dënimit me vdekje në mjedisin kolektiv shqiptar po dëshmohet përditë e më tepër si e vetmja rrugë që do t’i jepte fund rritjes së kriminalitetit dhe lindjes së kriminelëve të rinj, të cilët ushqehen nga mungesa e rendit dhe e zbatueshmërisë së ligjit. Më e dëmshme është psikoza që ekziston në rastet e mungesës së dënimit me vdekje, ajo e të shpëtuarit të atij që mund të bëjë vrasje. E cila, së bashku me një drejtësi të korruptuar, çon në lirimin e vrasësve pas një kohe relativisht të shkurtër. Eshtë pikërisht këtu që fillon saga mafioze e gjakmarrjeve, pasi sistemi ligjor aktual është mbivendosur mbi sistemin e natyrshëm njerëzor të drejtësisë.
Ky rikthim mund të bëhet edhe duke u tërhequr përkohësisht nga nënshkrimi i Konventës, duke u bazuar në nenin 3 të tekstit të amenduar të dispozitave të Protokollit nr. 11, në të cilin thuhet: “Çdo deklaratë e bërë në bazë të dy paragrafëve të mësipërm do të mund të tërhiqet, në lidhje me çdo territor të caktuar në atë deklaratë, me një njoftim drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm. Tërheqja do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit që pason datën e marrjes së njoftimit nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm.”
Nëse nuk konsiderohet rasti i Shqipërisë si një emergjencë në aspektin e ruajtjes së rendit publik, atëherë retorika e politikës tonë do të rifillojë me ato statistikat e shpifura, në të cilat thuhet se janë vënë kaq gjoba, janë arrestuar kaq veta, është bërë kjo e kjo, por në terren gjaku derdhet akoma më shumë, e shtohet edhe më tepër numri i të guximshmëve të cilët ia shkrepin për herë të parë me armë, duke fituar një vend në hit-parade-in e kriminelëve.