Demokracia nuk është thjesht vetëm një sistem i akullt rregullash dhe procedurash kushtetuese që përcaktojnë mënyrën e funksionimit të një sistemi politik. Ajo (demokracia) merr jetë, mbi të gjitha, përmes frymës, e cila brendësohet në ndërgjegjet e anëtarëve të shoqërisë. Në një shtet demokratik, qeveria përbën vetëm një element që bashkëjeton në kuadrin e një strukture shoqërore të përbërë prej institucioneve, partive politike dhe organizmave të ndryshme, e që rëndom emërtohet pluralizëm. Ky i fundit gabimisht është konceptuar nga qeveritë e ndryshme si praktikë e tillë që pushtetet të rrethohen gjithmonë politikisht nga vetvetja. Pra, që të ndikojnë mbi opozitat me mijëra mënyra të qeverisjes, duke dobësuar forcën reaguese të tyre.
Mospasja e një kulture politike demokratike të trashëgueshme, e cila vjen nga historia, me një klasë politike (aristokraci politike) të denjë, bën që politikanët tanë kryesorë të jenë njerëz që improvizojnë në politikë, dhe, për rrjedhojë, improvizojnë në pushtet e improvizojnë edhe në opozitë. Pra, shpesh opozitarizmi ynë karakterizohet nga improvizimi, cili më së shumti është parë si mjet në funksion të pushtetit personal.
Domethënë, thelbi i opozitarizmit të partive politike shqiptare është i tëhuajsuar nga amaneti i cili përmblidhet në kontrollin politik ndaj pozitave, por është karakterizuar nga epshi për pushtet. Liderët tanë politikë janë forma e jashtme e qëllimeve të fshehura për të ricikluar njëri-tjetrin, që si një sharrë elektrike depërtojnë thellë në fibrën e këtij vendi, duke e dëmtuar rëndë atë. Shprehjet e tyre, gjuha e trupit dhe e syve të tyre nuk thotë asgjë. Në pushtet është e vështirë t’ua deshifrosh metaforën, po ashtu në opozitë është e vështirë të kuptosh se si do zbatohet ajo çka ata thonë.
Për shkak të kësaj, situata e emergjencës politike i kalon caqet e të arsyeshmes, dhe tashmë kthehet në një sistem, në sistemin e “të këqijave më të vogla” kundrejt “të këqijave më të mëdha” të kaheve të kundërt. Mirëpo kjo formë e ekzistencës së identiteteve të dyfishta politike dhe e kufijve të dyfishtë të ndarjes morale ka prodhuar në fakt në formë ciklike të këqija, dhe tani, pas më shumë se dy dekadash, jemi përsëri në të njëjtën situatë. Nëse do të vazhdohet kështu, pjelloria në botën e të këqijave dhe të të këqinjve do të vazhdojë të jetë e lartë, dhe përsëri përplasja nuk do të sjellë asgjë, veçse shpërfytyrim të elektoratit dhe dëmtim të strukturës morale të shoqërisë.
Por le të kthehemi tek problemi i opozitarizmit të opozitës tonë. Çështja është se sa e ka ndihmuar opozita qeverinë në qeverisjen e vendit, në kryerjen e reformave dhe në përmirësimin e situatës së keqe që ajo la. Shpesh vërehet fakti se edhe pse qeveri në pushtet i referohen opozitës, duke e kritikuar atë që ajo ka bërë, edhe pse kjo e fundit është dënuar nga vota popullore, përsëri qeverisjet tona u kthehen opozitave duke u bërë atyre opozitën. Raste të tilla kemi pasur si në qeverinë Berisha, dhe sot në atë Rama. Opozitarizmi deri më sot varej e kontrollohej drejtpërdrejt vetëm nga forcat politike. Qytetarë të lidhur shpirtërisht me partinë e tyre protestonin vetëm nëse kjo e fundit i thërriste ta bënin një gjë të tillë.
Megjithatë, shoqëria shqiptare, për shkak të monopolit politik dhe presionit që politika ka ushtruar mbi të, vazhdon të vuajë nga individualizmi. Kjo e vështirëson opozitarizmin qytetar dhe e largon atë nga kultura e komunitetit dhe protestës komunitare. Nga njëra anë, individualizmi shihet si element i rëndësishëm i demokracive, duke nënkuptuar lirinë e të kritikuarit jashtë rrymave dhe masave. Kjo është në rregull për disa vende, por ama, nga ana tjetër, individualizmi dëmton më shumë fibrën sociale dhe ndjenjën e komunitarizmit; ai individualizon dhe relativizon moralin publik, i cili është baza për një opozitë të suksesshme qytetare.
Dëmtimi i opozitës qytetare vjen edhe nga mënyra se si është cilësia e një opozite, të konsideruar gabimisht nga tonaliteti i zërit të liderit, gjë e cila vjen nga kultura politike e postkomunizmit. Aq më pak nga stimulimi i sforcuar i konfliktualitetit, ashpërsimit dhe mosmarrëveshjeve, thënë ndryshe, nga ulërimat, protestat e bojkotet, nga ashpërsia e akuzave për “tjetrin” politikisht. Kjo ka bërë që gjuha e arsyeshme e opozitarizmit të interpretohet si dobësi apo paaftësi e politikanëve opozitarë, duke i vënë ata në vështirësi dhe shpesh duke i bërë të dalin nga vetja. Tek opozitat tona mungon ngjashmëria mes fjalës dhe veprimit, moskompromentimi i të tashmes në raport me të shkuarën, njëkohësisht koherenca mes sinqeritetit dhe politikës, i premtimeve me ndershmërinë, dhe, së fundmi, i guximit me shpresën.
Opozitat shqiptare, më shumë sesa opozitat e tjera, janë produkt i votave kundër sesa i votave pro ndaj kundërshtarit, pra, janë produkte politike ndëshkimi elektoral. Një opozitë e dobët, e pa kuruar mirë politikisht, e pa pastruar mirë moralisht, i jep mundësinë çdo lloj pushteti që të justifikohet para elektoratit si e keqja më e vogël në raport me të keqen më të madhe në opozitë. Retorika të tilla si rreziku i nanoizimit, apo i berishizimit, për t’u kthyer në pushtet, kanë qenë shembull i qartë i kësaj.
E vetmja mënyrë për të ndryshuar këtë sistem përzgjedhjeje mes të këqijash është rivendosja e qenësishme dhe në formë të vërtetë e vlerave që i përmendëm më lart si arsye publike të shoqërisë. Që ndershmëria, drejtësia, mirëqenia, antikorrupsioni, morali, familja të kthehen në arsye publike, duhen grupime njerëzish që i kanë ideale jetësore ato, dhe jo slogane sociale, që mund t’i formulojnë ato në ofertën politike, e cila duhet mbështetur mbi besueshmërinë dhe këmbënguljen. /tesheshi.com/