Shqipëria, që nga viti 1990, kur rrëzoi komunizmin, ka pasur tre modele presidencash: ose të fortë dhe gati “mbretërore”, ose outsider, pra një institucion balancimi, ose palë politike.
Ramiz Alia, presidenti i fundit komunist dhe i pari i erës postkomuniste, nuk e bitisi mandatin, pasi qëndroi vetëm një vit në detyrë. Megjithëse u mundua të jetë jashtë palëve, PD-ja e konsideroi si pjesë të PPSH-së, e më pas të PS-së.
Sali Berisha, i cili u ul në postin më të lartë të shtetit në vitin 1992, themeloi modelin gjysmëpresidencial, por vetëm se nuk zgjidhej nga populli. Madje Berisha ndryshoi edhe dispozitat kushtetuese, sipas të cilave presidenti nuk duhet të jetë anëtar partie, ndërsa e bëri se nuk duhet të jetë kryetar partie.
Berisha nuk u shkëput nga PD-ja, madje në të gjitha zgjedhjet që u zhvilluan nga 22 marsi 1992 fliste si palë politikë. Pra “fituam”, “nuk fituam”, etj., dhe ndërhynte fuqishëm në debatin politik të ditës.
Drejtoi gjithçka në Partinë Demokratike, që nga përjashtimi i mocionistëve dhe përplasja e brendshme e deri në largimin e Eduard Selamit në vitin 1995, që vetë e kishte emëruar kryetar formal të PD-së.
Përveç jetës politike, Berisha drejtoi thuajse totalisht politikën e jashtme të Shqipërisë, duke i lënë qeverisë së Aleksandër Meksit më shumë kompetenca menaxhuese, dhe jo përfaqësuese.
Edhe pse Berisha drejtoi vetëm një herë mbledhjen e qeverisë, roli i tij në politikat qeverisëse ishte më se vendimtar.
Sali Berisha pati një drejtim piramidal të institucioneve të pavarura të vendit, duke drejtuar gjithçka në sistemin e drejtësisë, që nga instalimi në gjyqësor i personave me kursin gjashtëmujor të Plepave, ashtu edhe në kontrollin e Prokurorisë, e cila bënte arrestimet dhe ndjekjet penale.
Dhe kur kishte raste të veçanta që ndonjë gjyqtar merrte vendime jashtë linjës së Berishës, ai shkarkohej.
Ishte rasti i Skënder Demirit, gjyqtarit të Apelit, i cili shpalli të pafajshëm Fatos Nanon, por vendimi i tij u bë nul nga Gjykata e Lartë dhe nga Prokuroria, që nisi një tjetër hetim, ndërsa gjyqtari i largua.
Sali Berisha drejtoi përpjekjen për të ndryshuar Kushtetutën e vendit, madje kur humbi mazhorancën e cilësuar në Kuvend e nxori në referendum popullor një projekt të hartuar nga vetë ai.
Shto këtu edhe krizën e vitit 1997, ku presidenti më shumë ishte palë, sesa ishte një garant.
Në vitin 1997, president u zgjodh Rexhep Meidani, që vinte nga një post partiak, si numri dy i Partisë Socialiste.
Meidani institucionalisht mbajti një pozicion balancimi të pushtetit të fortë të Fatos Nanos apo të kryeministrave të tjerë socialistë, duke u bërë pengesë e kërkesave apo vullneteve për ndërhyrje, kryesisht në institucione të tilla si SHISH-i apo gjyqësori.
Meidani ndërhyri edhe në zhvillimet brenda së majtës, duke marrë në presidencë apo duke mbrojtur njerëz të ndëshkuar nga Nano, si Sabit Brokajn apo Fatos Klosin.
Ndërkaq, në vitin 2002, president i Republikës u zgjodh Alfred Moisiu, i cili erdhi si propozim i Sali Berishës. Por shumë shpejt Moisiu u barazlargua nga PD-ja, edhe pse pati një periudhë shumë të shkurtër marrëdhënie të mira me Nanon.
I hoqi Fatos Klosin si kryetar i SHISH-it, por më pas u bë pengesë e lëvizjeve autoritare të kryeministrit. Kulmi arriti kur nuk i dekretoi ministrat në kohën kur Nano nuk e kishte mazhorancën në Kuvend për t’i votuar.
Moisiu, pas ardhjes së PD-së në pushtet në vitin 2005, u përplas menjëherë me Berishën, madje që në ditët e para të fitores, pasi nuk ia dha mandatin pa u mbyllur të gjitha procedurat e certifikimit të deputetëve. PD-ja e sulmoi ashpër, me zërin e Jozefina Topallit, që në gushtin e 2005-s.
Ndërkaq, përplasja më e fortë ndodhi në vitin 2007, kur Alfred Moisiu refuzoi që të shkarkonte kryeprokurorin Theodhori Sollaku.
Moisiu ishte një model, apo më mirë të themi, e krijoi të tillë, si një kryetar shteti totalisht i barazlarguar nga palët.
Në vitin 2007, në krye të shtetit shqiptar u zgjodh Bamir Topi, nënkryetar i PD-së, në njëfarë mënyrë si Rexhep Meidani në vitin 1997.
Topi gjithashtu, si Meidani, shërbeu si valvul sigurese për zhvillimet brenda së djathtës, por ndikoi edhe në frenimin e orekseve të kryeministrit Sali Berisha.
Në fillimin e punës së tij, Bamir Topi u tregua luajal me ish-kreun e partisë së tij kur i shkarkoi kryeprokurorin, por vuri në këtë post Ina Ramën, një zgjedhje të tijën, e cila u përkrah nga Berisha, edhe nga origjina e familjes së djathtë të kandidates.
Madje Berisha me superlativa e cilësoi Ina Ramën si “Silvia Konti”. Por vetëm 3 vjet më pas, pas 21 janarit 2011, do ta cilësonte publikisht si një “lavire bulevardi”.
Berisha, sidomos pas Gërdecit, kur nisën hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, e posaçërisht ndaj Shkëlzen Berishës dhe Damir Fazlliçit, filloi një luftë të ashpër me presidentin Bamir Topi.
Mazhoranca e PD-së i refuzoi disa herë dekretet e rëndësishme të ish-nënkryetarit të saj, tashmë president, për anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Me mbarimin e mandatit të Topit, PD-ja vendos të zgjedhë president një njeri luajal me Sali Berishën: ish-ministrin e Brendshëm dhe të Drejtësisë, Bujar Nishanin.
Nishani krijoi një model më të anësuar të Presidencës, por që gjithsesi ishte kritik dhe mjaft frenues i vendimeve apo orekseve të kryeministrit Edi Rama.
Nishani i ka kundërshtuar me fjalë, por edhe me dekrete, disa nga nismat qeveritare, por në publik arriti të perceptohet si një zyrtar shteti jo i barazlarguar nga PD-ja.
Rasti i fundit ishte vendimi i PD-së për të bojkotuar zgjedhjet e 18 qershorit, ku presidenti i Republikës nuk u investua fuqishëm që të bëjë ç’është e mundur që një manovër partiake të mos kthehet në ngërç të vendit.
Me zgjedhjen e tij si president, si një njeri i ardhur nga politika e madhe, Ilir Meta ka një mundësi dhe provë, por edhe një dyshim të madh, për njerëzit e paangazhuar që kërkonin në krye të shtetit një njeri outsider dhe jo të kastës, e cila realisht gëzon një pakënaqësi të madhe në publik.
Por presidenca e Ilir Metës nis më 24 korrik, kur bën betimin si kryetar i ri i shtetit shqiptar. /tesheshi.com/