Pas shembjes së urës së Xhenovës që la pas me dhjetëra të vdekur, kryeministri i së djathtës ekstreme i Italisë, Matteo Salvini, iu vërsul Bashkimit Europian. “Nëse buxheti i BE-së na detyron të mos arrijmë ta bëjmë të sigurtë infrastrukturën e Italisë, ne do ta ndryshojmë këtë”, shkroi ai në rrjetet sociale. Eurofobëve të të gjitha ngjyrave u pëlqen ta nxjerrin veten si rebelët e rinj, si valën në rritje kundër elitave, por në shumë mënyra, ata janë shkollë e vjetër. Ata nuk ofrojnë zgjidhje, dhe cinizmi i tyre është i paturpshëm.
Shqetësim mbetet që populistët në të djathtë dhe në të majtë, mund të përcjellin mesazhin e Salvinit, madje edhe kur nuk e kanë të nevojshme ta përsërisin atë. Ata do të vënë gishtin mbi masat e kursimit të cilave iu nënshtrua Italia si pasojë e krizës së eurozonës. Mund të ketë pak rëndësi për ta që BE nuk vendos kufizime në atë sesi qeveritë e menaxhojnë buxhetin e tyre.
Apo ndoshta që është raportuar se vetëm 12 për qind e 40 mijë urave të Gjermanisë janë në kushte të mira apo shumë të mira – dhe kjo në një vend që ka regjistruar një surplus buxhetor rekord prej 38.4 miliardë eurosh në vitin 2017.
Një hetim në Itali me shpresë do të zbulojë se çfarë e shkaktoi katastrofën në Xhenova. Mund të përcaktojë po ashtu nëse janë shkelur standardet europiane në mirëmbajtjen e urës. Por, ndërkohë, reagimi i Salvinit na ka treguar edhe një herë sesa lehtësisht fajësohet BE-ja sapo diçka shkon keq – në këtë rast, tragjikisht keq – vetëm për të marrë pak fare vlerësim kur ka lajme të mira.
Eurofobia ka një histori të gjatë dhe komplekse. Ka pasur rezistencë ndaj projektit europian që prej lindjes së tij. Ashtu si Salvini dhe aleatët e tij gjetkë në Europë ngrenë sulme mbi BE-në, ndihmon të vendosim gjërat në perspektivë për të kujtuar sesa të dala nga konteksti janë shumë prej ideve të tyre. Një libër i fundit nga historiani francez, Bernard Bruneteau, “Të luftosh Europën: nga Lenini tek Marine Le Pen”, mundëson kontekstin e duhur historik.
Fjala “euroskeptik”së pari u shfaq në vitin 1985 në një artikull të “Times”që përshkruante kritikët konservatorë të Aktit të Vetëm Europian. Por, euroskepticizmi është më i hershëm: 70 vjet më parë, Lenini argumentonte: “Nën një regjim kapitalist, Shtetet e Bashkuara të Europës janë ose të pamundura, ose reaksionare”. Paqja “borgjeze”që do të rezultonte nga një marrëveshje e tillë do të “synonte vetëm mbytjen e përbashkët të socializmit në Europë”, shkruante ai.
Sot, ndjesia anti-BE është shpesh e lidhur me të djathtën ekstreme dhe fiksimet e saj nacionaliste. Por e majta europiane ka rekordet e saj të kundërshtisë ndaj projektit. Në Francën e viteve 1950, një parti e fuqishme komuniste paralajmëronte se vendi do të shndërrohej në një “aneks të Ruhrit dhe një koloni amerikane”. Ndërkaq, statistët dhe golistët druheshin se sovraniteti i shtetit – rindërtuar së fundmi, pas luftës dhe pushtimit – do të zhbëhej. Tingëllon familjare?
Gjatë luftës së Ftohtë, “internacionalizmi” anti-kapitalist midis së majtës ekstreme të Europës Perëndimore u fokusua tek vizioni i bashkimit të njerëzimit, por me siguri jo Europës. Duke pasur parasysh instinktet e tyre imperialiste, europianët nuk e meritonin të shpërbleheshin me një projekt që do t’i forconte ata, sipas kësaj logjike. Deri sot e kësaj dite, është e lehtë të dallosh sesa shumë nga ky lloj të menduari ende reziston në kriticizmin radikal majtist të BE-së: prioriteti i Europës duhet të jetë pendesa për krimet e saj koloniale, jo të përpiqet të formësojë botën.
Ndjesia anti-gjermane është një tjetër tipar i vjetër i eurofobisë. Dhe vështirë se është një monopol i së djathtës. Mund të gjendet mes të ngjashmëve të Jean-Luc Mélenchon, liderit të opozitës së majtë radikale të Francës, i cili është i ftuar muajin e ardhshëm të flasë në një aktivitet të laburistëve.
Mélenchon nuk ka dyshim se do ta refuzojë krahasimin, por përshkrimi i tij për BE-në si “një perandori e re gjermane” të sjell në mendje portretizimin nga ana e Trump për të si një “mjet për Gjermaninë”.
Në Skandinavi, jo më pak në Danimarkë, armiqësia ndaj projektit europian shkon pas me dekada, me rrënjët që gjenden në shqetësimet se mund të kërcënonte modelet e mirëqënies kombëtare që u zhvilluan në fillim të shekullit të 20-të.
Sa për Europën Lindore, thuhet shpesh se pakënaqësia e rajonit me BE-në buron nga kriza e refugjatëve e vitit 2015. Por, kjo nënvlerëson sesi Václav Klaus, presidenti i republikës Çeke nga vitit 2003 deri në vitin 2013 dhe një admirues i zjarrtë i Margaret Theçërit, kritikonte ashpër klubin madje edhe kur vendi i tij po i bashkohej në vitin 2004 (atë ditë, ai tha: “Ne po fitojmë dhe po humbasim diçka”). Në fund të viteve 1990, kur pyeta një ministër të qeverisë polake se çfarë priste nga Europa, përgjigja e tij ishte “një Europë të katedraleve”, – jo saktësisht çfarë liderët e BE-së kishin në mendje.
Lista e manifestimeve të ndryshme të eurofobisë nuk është vetëm e gjatë, por po ashtu plot me paradokse të dukshme. Për shembull, kush e mban mend që partia e Marine Le Pen (në atë kohë e drejtuar prej të atit) u bë armike e projektit evropian vetëm në fillim të viteve 1990. Përpara kësaj kohe, kjo parti e mbështeste atë si një mbrojtje ndaj Bashkimit Sovjetik.
Mund të jetë e lehtë të harrohet në një kohë kur populistët anti-europianë nga Salvini tek Viktor Orbán i Hungarisë po kapin titujt e parë të medias – për të mos përmendur ish-strategjistin e Trump,
Steve Bannon i cili po ngre një lëvizje pan-europiane “anti-Soros” në Bruksel – por armiqësia ndaj Europës daton shumë më herët sesa vala e fundit populiste. Eurofobia mund të duket e lidhur me fytyrat e reja, por ato janë të shenjuara nga ideologji të vjetra.
Një optimist do të thoshte: nëse Europa ia ka dalë të ndërtojë vetveten pavarësisht kaq shumë kundërshtie nga brenda, mund fare mirë të ketë shanse të mëdha të hedhë tutje vështirësitë e tanishme. Bisedat për rrënimin e saj deri tani kanë qenë ekzagjeruar. Eurofobët mund të ofrojnë çdo gjë që mund t’i qaset një plani alternativ për vendet e tyre – përveç, kjo është, një kërcimi në zbrazëtirë. Brexit është një pikë. Eurofobët kanë diçka të përbashkët, por po ashtu ka shumë gjëra që i ndajnë ata, qoftë kjo ekonomia apo identiteti – kështu që si mund të bashkohen ata për të formuar një ortek?
Por një pesimist mund të thotë: thjesht shihi ata ndërsa përpiqen më shumë. Trupat ishin ende duke u nxjerrë nga rrënojat kur Salvini nuk humbi kohë për ta politizuar tragjedinë e Xhenovës për të galvanizuar edhe më shumë ndjesi anti-BE. Kjo do të thotë shumë.
*Natalie Nougayrède është kolumniste për të përditshmen britanike “The Guardian”.
Përktheu: Juli Prifti -/tesheshi.com/